Abdixhiku premton ndryshimin në Malishevë: Kosova në udhëkryqin më të madh politik e ekzistencial

Prishtinë | 24 Nën 2024 | 19:54 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Malisheva së shpejti do të bëhet qytet i LDK-së, kur Kosova po qëndron në udhëkryqin më të madh politik e ekzistencial që nga themelimi i saj, raporton Ekonomia Online.

Në “Turneun e Ndryshimit” që sonte është mbajtur në Malishevë, kreu i LDK-së, ka thënë se populli është lodhur me qeverisjen e katër viteve të fundit, ndërsa ka premtuar ndryshimin e vërtetë në zgjedhjet e 9 Shkurtit.

Abdixhiku ka theksuar se LDK-ja është e përkushtuar ta ndërtojë Kosovën, ndërsa ka premtuar sërish koeficient 150 që në javën e parë të qeverisë, projekte infrastrukturore që do ta transformojnë vendin dhe rritje ekonomike pesë për qind.

“Si lëvizja më e madhe historike shqiptare, e kemi për detyrë të shtrojmë jo vetëm dorën e përbashkimit me njerëzit e Kosovës, me ata të harruarit e të lënë në mëshirën e fateve ditore, por të shtrojmë rrugën e re përpara, për vet Republikën e Kosovës, shtetin që e bëmë ne”.

“Sot, të dashur qytetarë të Malishevës, nuk dal para jush të ju flas se sa të pasura janë rrënjët tona politike, e se sa e shenjtë është historia jonë partiake. E shkuara jonë është e lavdishme, është e papërsëritshme, e ardhmja jonë është e padefinuar. Ajo pret veprimet tona. Pret sjelljen tonë! Dhe sot, unë dhe bashkëpunëtorët e mi, dalim para jush për të përqafuar  këtë të ardhme që e ëndërrojmë”.

“Kosova qëndron në udhëkryqin më të madh politik e ekzistencial që nga themelimi i saj si shtet i pavarur e sovran. Dhe në këtë udhëkryq, në këtë definimin të së ardhmes sonë, qytetarët e Kosovës, ju të dashur qytetarë, duhet të kuptoni peshën e zgjedhjeve tuaja. Sepse këto zgjedhje, nuk bëhen vetëm për të përcaktuar një Kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Ato, para së gjithash, bëhen për të përcaktuar vet Kosovën”.

“Për katër vite të plota, njerëzit e Kosovës kanë vëzhguar se si premtimet e mëdha kthehen në fjalë të thata. Se si ato humbasin peshën para humbjes së vet shpresës. Dhe me peshë e me shpresë, humbet dhe ëndrra për vendet e punës, për pagat e larta, për shkollat e denja, për spitalet e shëndosha, për drejtësinë e mbarë – për vet jetën në Kosovë”.

“Ndryshimi po vje. Do t’i ktheni cent më cent. Do të ndiqeni penalisht për secilin veprim korruptiv; nga buka e bujqve tek mafia energjetike, nga rezervat shtetërore tek kontratat njëburimore.Njerëzit e Kosovës, janë lodhur duke i pritur mundësitë e premtimet që nuk ju vijnë, janë shterur nga shpresa e udhëheqësve që propagandojnë por s’japin asnjë rezultat. Njerëzit e Kosovës janë lodhur nga ndenja e braktisjes”.

“Ne jemi të përkushtuar të ndërtojmë Kosovën, ku fëmijët tanë vendosin të qëndrojnë mes nesh jo sepse nuk kanë tjetër zgjidhje, por sepse duan ta bëjnë të ardhmen këtu, në Kosovë. Aty ku ata kanë vështruar rritjen e çmimeve e sfidën e përballueshmërisë, ne kemi ofruar paga të larta e të ardhura me dinjitet. Koeficienti 150, që në javën e parë të qeverisë së re, për shërbyesit civil, është zotimi ynë i parë – është vendimi ynë i parë”.

Abdixhiku ka premtuar projekte infrastrukturore që do ta transformojnë vendin, rritje ekonomike pesë për qind e plan për furnizim të qëndrueshëm me energji.

“Aty ku s’kanë bërë punë në rrugë për katër vjet, ne kemi projekt infrastrukturore që transformojnë këtë shtet. Magjistralet e Autostradat e nisura në dekada, duhet të përfundojnë për tri vjet – asnjë ditë më shumë”.

“Aty ku shtrenjtimi i energjisë elektrike s’ka fund, ne kemi plan për Central me Gaz, për stabilitet furnizimi, për një ekonomi të sigurt me partnerë! Rruga e Re, ka 120 projekte, ka 5 miliardë euro investime, ka 5 miliardë euro buxhet, ka 5% rritje ekonomike”, ka thënë Abdixhiku.

Të ngjashme