Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku ka shpalosur planprogramin e partisë që ai udhëheq në një tubim zgjedhor në Shtime, raporton Ekonomia Online.
Abdixhiku tha se do të ketë investime ne infrastrukturë, në centralin e ri i cili do të ndërtohet me gaz, gaz amerikan.
“Po ashtu, ne nuk jemi vetëm shtet i ndihmave dhe ndihmesave, ne jemi një Republikë e zhvillimit dhe investimeve. LDK-ja ka planin më ambicioz që mund ta ketë dikush në Kosovë dhe me këtë plan tonin kemi plot 5 miliardë euro investime. Investime në infrastrukturën rrugore, investime në centralin e ri me gaz, dhe atë gaz amerikan, investime në spitalin e ri të Republikës së Kosovës, investime për të rinjtë e Republikës së Kosovës, në mënyrë që ata të kenë punë dhe të fitojnë në vendin tonë”, tha Abdixhiku.
Ai tha se çdo student i cili diplomon, do ta ketë vendin e punës të garantuar për 6 deri në 12 muaj, me pagë 500 euro.
“Dhe përveç kësaj, po ashtu për çdo të ri e për çdo të re të Kosovës, për secilin të ri e të re që diplomon e kryen fakultet në Kosovë, qeveria e ardhshme e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të japë bursë të garantuar për 6 deri në 12 muaj me pagë 500 euro në muaj, sepse e ardhmja e jonë varet nga rinia jonë. Rinia jonë e ka vendin në Kosovë, jo të shëtisin nëpër vende të tjera të Evropës e të bëjnë punë, punë në Republikën e Kosovës, punë e garantuar nga qeveria e Kosovës”, tha Abdixhiku.
Ai u zotua se do të ketë rritje të pensioneve dyfish dhe se nuk do të ketë pension më të vogël se 300 euro.
“E për fund, më lejoni të zotohem dhe për pensionistët tanë. E di që keni pasë jetë të vështirë, e keni kontribuar shumë për këtë Republikë që e gëzojmë ne. Na lejoni t’ju japim pas aq sa mundemi. Ajo që mundemi është dyfishim i pensioneve për pensionistët tanë. Nuk do të ketë pension më të vogël se 300 euro në qeverinë e ardhshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pra, Kosova jonë meriton më shumë dhe shtetit tonë do t’i jepet vëmendje më shumë. Ju meritoni shtet që punon, që ndihmon në njërën anë e investon në anën tjetër. Mbi të gjitha, meritoni një shtet që e mban fjalën, meritoni një Republikë që nuk kujtohet për juve vetëm pak para zgjedhjeve, por një shtet që qëndron me ju në çdo sfidë. Mbi të gjitha, ju meritoni një shtet i cili ankorohet në familjet euro-atlantike, atë që kemi si synim, amanet prej të madhit Ibrahim Rugova, nga viti 1989 e deri më sot”, tha i pari i LDK-së.