Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se sot herët në mëngjes janë kthyer 39 qytetarë të ngujuar në Kosovë. Në mesin e të kthyerve është edhe ekipi Kombëtar i Boksit. ABdixhiku ka njoftuar se të gjithë këta do të vendosen në karantinë 14 ditore në Qendrën Studentore në Prishtinë.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka thënë se kthimi i qytetarëve të evidentuar nga ambasadat do të vazhdojë në mënyrë të kujdesshme dhe të organizuar. Ka thënë se se zhvillimet e tjera s’janë brengë e tyre tani, duke aluduar kështu për rrëzimin e qeverisë.
Ai ka bërë thirrje që qytetarët e ngujuar të vazhdojnë t’i kontaktojnë ambasadat.
“Kthimi i qytetarëve të evidentuar nga ambasadat tona jashtë, në mënyrë të kujdesshme, të organizuar e pa rrezik për qytetarët këtu – do të vazhdojë. Këtë punë do ta bëjmë dhe zhvillimet tjera s’janë brenga e jona tani”, ka shkruar Abdixhiku.
Ky është postimi i plotë:
Sot herët në mëngjes kthyem në atdhe 39 qytetarë të Kosovës, të ngujuar jashtë; fëmijë, të moshuar, gra e burra. Dje kthyem ekipin Kombëtar të Boksit. Të gjithë do të vendosen në karantinë 14 ditore në Qendrën Studentore në Prishtinë.
Kthimi i qytetarëve të evidentuar nga ambasadat tona jashtë, në mënyrë të kujdesshme, të organizuar e pa rrezik për qytetarët këtu – do të vazhdojë. Këtë punë do ta bëjmë dhe zhvillimet tjera s’janë brenga e jona tani.
E falenderoj Ministrin Quni dhe Ushtrinë e Kosovës që menjëherë dhe me profesionalizëm po na ndihmojnë.
Qytetarët e ngujuar jashtë, që në urgjencë duan të kthehen në Kosovë, duhet të vazhdojnë të kontaktojnë ambasadat tona. Secili i kthyer do të vendoset në Konvikte për 14 ditë.