Abdixhiku vazhdon takimet në ShBA, u mirëprit nga senatori Christopher Murphy

Prishtinë | 16 Nën 2022 | 19:38 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po vazhdon takimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot, u mirëprit nga senatori Christopher Murphy dhe ekipi i tij politik.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rajon. Sipas një komunikate shtypi, Abdixhiku edhe në Senat shtroi kërkesën për ngritjen e bashkëpunimit bilateral në mes të Kosovës dhe SHBA-ve nëpërmjet ‘Kartës për Partneritet Strategjik’.

“Si anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, Senatori Murphy ka qenë dhe mbetet gjithherë aktiv në rajonin tonë. Në këtë drejtim, kërkesat tona për mbështetje ndaj popullit të Kosovës, institucioneve të Republikës, e aspiratave tona për anëtarësim në Aleancën ushtarake të NATO-s, ishin krejt të natyrshme. Po ashtu, në takim u theksua nevoja e bashkëpunimit të ngushtë në fushën e politikës së jashtme, energjetikës e zhvillimit ekonomik”.

“Mbështetja e Senatit dhe Sentorëve nga të gjitha anët, ka prodhuar gjithherë momente historike për vendin tonë. Këtë mbështetje për shtetin tonë vazhdojmë ta kërkojmë në çdo kohë”, ka thënë kreu i LDK-së.

Të ngjashme