Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka bërë të ditur se kanë kursyer afër 10 milionë euro nga pensionet që i kanë marr personat që nuk janë banorë të përhershëm të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ministri Abrashi ka sqaruar se sa para janë kursyer nga buxheti i shtetit dhe sa njerëz nuk kanë arritur të dëshmojnë se janë banorë të Kosovës.
Më tej Abrashi ka shtuar se do të implementojnë praktika të mira në mënyrë që pensionistët e vërtetë të gëzojnë një pension dinjitoz.
Postimi i plotë i Abrashit:
“Të dashur qytetarë,
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka arritur për një periudhë të shkurtër të kursejë nga buxheti i shtetit afër 10 milionë euro duke ndalur pensionet për ata njerëz që nuk janë banorë të përhershëm të Republikës së Kosovës.
Në janar të vitit 2015 nxorëm udhëzimin administrativ me të cilin definohen procedurat e aplikimit për pensione. Në këtë udhëzim sqarohet se pensioni bazë u njihet vetëm atyre personave që janë banorë të përhershëm të Republikës së Kosovës dhe normalisht që kanë arritur moshën 65 vjeçare.
Në tabelë shihet numri i përfituesve të pensionit bazë në vitin 2015, që ka filluar me 126 mijë e 113 pensionistë (janar) dhe me rritjen natyrore numri i përfituesve në dhjetor 2015 ka arritur në 132 mijë pensionistë. Në tabelat e bashkangjitura të viteve 2015 dhe 2016, vëreni se sa ka rënë numri i përfituesve, si pasojë e mos-dokumentimit e të qenit banor i përhershëm i Republikës së Kosovës.
Pra vitin 2015 e kemi filluar më 132 mijë përfitues dhe në tetor (2016) kemi 120 mijë 146 përfitues. Nëse shtojmë kësaj shifre edhe rritjen e numrit të përfituesve si efekt i rritjes natyrore, që është diku rreth 5000-6000 në vit, flasim për më shumë se 18 mijë suspendime apo ndërprerje për 10 muaj dhe me një kursim prej së paku 10 milionë euro.
Ne nuk do të ndalemi në implementimin e praktikave më të mira, në mënyrë që pensionistët e vërtetë të gëzojnë një pension dinjitoz”.