Gjatë një takimi që ka zhvilluar të martën me Igballe Rugovën, drejtoreshë e Rrjetit të Grave të Kosovës, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, është zotuar se Programi i tij parash buxhetimin gjinor dhe përkrahjen financiare të çdo nëne që do të lind në Prishtinë.
“Barazia gjinore është prioritet i yni. Jemi zotuar që gjysma e drejtorive në Prishtinë do të drejtohen nga gratë dhe vajzat. Do të bëjmë buxhetimin gjinor, në mënyrë që gratë të përfitojnë financiarisht për projektet dhe bizneset e tyre. Buxhetimi gjinor parasheh që çdo nënë që lind fëmijë në Prishtinë do të përkrahet financiarisht”, ka thënë Abrashi.
Ai tha se Programi i tij për Prishtinën parasheh fuqizimin e grave në sektorin privat nëpërmes Fondit të Punësimit dhe punësimin në sektorin publik, duke përfshirë administratën, arsimin, shëndetësinë etj.
Besa Zogaj nga Kryesia e LDK-së, ka thënë se Arbani si ministër na doli në ndihmë duke e përgatitur Ligjin për Buxhetimi Gjinor, ai përkrahi bizneset e grave “start up”, ndërsa ndihmoi financiarisht punësimin e 400 vajzave në sektorin e teknologjisë së informacionit.
“Unë kam besim në planin e Arbanit për fuqizimin e grave dhe vajzave. Ai është një person me kredibilitet, shumë profesional dhe njeri që i mban premtimet. Nuk kam asnjë dyshim se si kryetar i ardhshëm i Prishtinës do t’i mbajë të gjitha premtimet, duke përfshirë edhe këtë që po flasim sot për fuqizimin e grave dhe vajzave”, tha Zogaj.
Drejtoresha Rugova ka thënë se Abrashi ka dhënë dëshmi për përkrahjen e grave sa ka qenë në pozitën e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale. “Ju ishit jo vetëm përkrahës por edhe shtytës i projekteve të grave”, ka thënë Rugova, e cila ka kërkuar gjetjen e lokacionit për qendrën e tyre. Abrashi është zotuar se lokacioni për Rrjetin e Grave do të gjendet, për t’iu krijuar atyre kushte për punë në shërbim të komunitetit.
Kandidati i LDK-së për Prishtinën, ka shpreh admirimin e tij për Rrjetin e Grave në funksion të mbrojtjes, përkrahjes dhe fuqizimit të rolit të grave në shoqëri.
Ai ka thënë se zyra e kryetarit të komunës do të jetë e hapur për të gjitha organizatat e grave, për të cilat gëzon respekt.