Abrashi informon përfaqësuesit e KE-së për çështjet sociale

Prishtinë | 08 Shk 2017 | 13:45 | Nga

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka zhvilluar një takim pune me delegacionin e Këshillit të Evropës të udhëhequr nga, Nils Muiznieks, komisioner për të Drejtat e Njeriut pranë këtij institucioni.

Ministri Abrashi ka njoftuar të pranishmit mbi aspektet kyçe të situatës sociale dhe ekonomike në Kosovë, standardet, shërbimet dhe politikat kryesore dhe zhvillimore që ofron MPMS-ja.

Si tema aktuale për Kosovë rreth të cilave u interesuan edhe delegacioni nga Këshilli i Evropës ishin çështja e personave të riatdhesuar, të zhvendosurit e brendshëm, skemat sociale dhe pensionale për grupet e cenuara, veçanërisht ato me theks tek komunitetet romë, ashkali dhe egjiptas, skemat për kategoritë e dala nga lufta, etj.

Gjithashtu ministri i njoftoi mysafirët me programin “Dil prej sociali” të iniciuar nga ai përmes të cilit synohet punësimi i personave në asistencë sociale.

Gjatë takimit, Abrashi parashtroi edhe çështjen e viktimave të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë me ç’rast potencoi vullnetin dhe përkushtimin e tij që këto viktima të trajtohen denjësisht përmes kujdesit institucional. Ai theksoi se procesi po ecën mjaft mbarë duke u shprehur se pret që të mbijetuarit e kësaj dhune të fillojnë të kompensohen qysh këtë vit.

Ndërkaq, udhëheqësi i delegacionit nga Strasburgu, komisioneri Muiznieks u nda mjaft i kënaqur nga ato që u prezantuan në takim duke e informuar ministrin Abrashi edhe për qëllimin e vizitës së delegacionit të Këshillit të Evropës, e cila është e fokusuar kryesisht në drejtësinë tranzicionale dhe lirinë e medieve në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme