Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka bërë të ditur se në vitin 2017 janë regjistruar rreth 20 mijë persona që përfitojnë pensionin bazik.
Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Abrashi ka thënë se me këtë është kursyer buxheti për më shumë se 10 milionë euro.
“Sot pranuam të dhënat statistikore të vitit 2016, për pensionin bazik. Nga afërsisht 137 -138 mijë përfitues të pensionit bazik sa do të duhej të ishin sipas rritjes natyrore dhe trendeve të viteve të kaluara, pas udhëzimit administrativ, marrëveshjes me Agjencinë e Regjistrit Civil dhe me Bashkësinë Islame, kemi arritur të largojmë nga kjo skemë ata të cilët kanë përfituar joligjshëm”.
“Në janar 2017 ishin më pak se 120 mijë, një kursim prej mbi 10 milionë euro.Shpejt do të bëjmë publike edhe masat tjera për kursime dhe nisjen dy skemave të reja (pensioni invalidor i punës dhe pensioni familjar) të cilat shpijnë drejt një reforme edhe më të thellë dhe gjithë përfshirëse”, ka shkruar Abrashi.