Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në detyrë, Arban Abrashi, ka thënë se me qeverisjen e koalicionit LDK-AKR-Alternativa shkalla e papunësisë do të arrihet të jetë njëshifrore.
Ai në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se nën qeverisjen e këtij koalicioni rritja ekonomike do të jetë 7 për qind, e cila do të ndikojë edhe në rritje të punësimit.
“Ambienti i të bërit biznes dhe shtimi i aktivitetit biznesor do të bëjë që të kemi edhe rritje të punësimit. Ne synojmë që të kemi një rritje ekonomike prej 4 deri në 7 për qind gjatë mandatit, por mund të shkojë edhe më shumë dhe kjo do të ndikojë në rritje të punësimit…” ka theksuar ai.
Përderisa është shprehur i sigurt në fitoren e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, koalicion ky që sipas tij, do të sjell rritje të buxhetit prej mbi 3 miliardë eurosh që në fillimet e qeverisjes së tij.
“Së pari ne jemi të bindur se do të dalim fitues dhe do të udhëheqim qeverinë e ardhshme, kurse sa i përket buxhetit prej 3 miliardë, të cilin ne tani e kemi proklamuar, realisht kjo është minimalja çka mund të themi, sepse ai buxhet do të jetë edhe më i lartë se 3 miliardë euro, bazuar në analizat ekonomike të ekspertëve tanë të cilët e kanë përgatitur programin tonë qeverisës”, ka thënë Abrashi.
Ai ka theksuar se LDK-ja tanimë ka dëshmuar se një gjë e tillë është e arritshme, duke shpjeguar se si do të arrijnë që të sigurojnë buxhetin e premtuar prej mbi 3 miliardë eurosh.
“Ajo çka mund të them se si mund të arrihet kjo është së pari përmes kompetencës, ne kemi një ministër, i cili tani është kandidat për kryeministër, i cili me kompetencën e tij ka treguar që kjo është e arritshme. Ne vetëm para dy vitesh e kemi gjetur një buxhet prej 1.4 miliard eurosh me rreth 200 milionë euro borxhe, dhe për dy vite e kemi sjellë në Kuvend buxhetin me 2 miliardë euro, që do të thotë po flasim për një ngritje substanciale për vetëm dy vite. Pra sa i përket kompetencave besoj që i kemi ekspertët më të mirë të ekonomisë të cilët dinë të hartojnë buxhete”, tha Abrashi.
“E dyta, kemi të bëjmë me një ligj, i cili na ka mbetur në gjysmë, por që shton aktivitetin ekonomik, diçka që veç ka filluar, e që kemi pasur ngritjen më të madhe ekonomike në regjion prej 4 për qind, do të thotë po flasim për Ligjin për Investime Strategjike, i cili do të sjellë investime strategjike në fusha të caktuara të cilat ne i kemi identifikuar si fusha të cilat mund të gjenerojnë vende të reja të punës dhe që mund të shtojnë aktivitetin ekonomik”, ka theksuar Abrashi.
Gjë tjetër e cila do të ndikojë në të hyra më të mëdha në buxhet prej 3 miliardë eurosh, Abrashi ka thënë se është edhe luftimi i evazionit fiskal përmes krijimit të Agjencisë së të hyrave.