Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arban Abrashi, vizitoi “Pallatin e Rinisë” në Prishtinë, së bashku me shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.
Abrashi u njoftua për së afërmi me problemet e “Pallatit të Rinisë” nga drejtori i departamentit teknik, Mustafë Morina, raporton EkonomiaOnline.
Abrashi theksoi se “Pallati i Rinisë” do të jetë prioritet i qeverisjes së tij sepse ai tha se Pallati i Rinisë vetëm se u degradua.
“Dolëm së bashku me deputetin Hoti, për të parë për së afërmi brengat e Pallatit të Rinisë, i cili është degraduar në një gjendje të papranueshme. Është një objekt që identifikon Prishtinën dhe rregullimi i statusit të Pallatit të Rinisë është në platformën e Komunës”.
Ai tha se Pallati do të kthehet në pronësi të Komunës së Prishtinës.
“Do të kemi plan zhvillimor dhe plan menaxhues për Pallatin e Rinisë. Do të bëhen investime në pallat që t’iu kthehet qytetarëve. Për aktivitetet sportive të të rinjve nuk do të ketë pagesa”, tha Abrashi.
Ai ka folur edhe për mospjesëmarrjen në debate me kryetarin aktual, Shpend Ahmeti. Abrashi tha se ka pasur probleme shëndetësore, derisa ka ftuar Ahmetin në pesë debate në vazhdim.
“Ka qenë një intervenim problem shëndetësor, me ç’rast unë kam munguar 2 ditë. Pasi që është bërë e madhe kjo punë, unë e kam lansuar ose kam ofruar një ofertë për 5 ditë, 5 debate në 5 televizione”.
“Tani, nëse nuk gaboj, janë vënë kontaktet se ku duhet të ndodhë debati i parë, pra janë ekipet që do të vendosin se ku do të fillojë i pari”, tha Abrashi.