Nënkryetari i AAK-së, Gazmend Abrashi përmes një shkrimi të postuar në Facebook, ka vlerësuar se në çdo vend të botës asetet kombëtare jo vetëm se çmohen dhe nderohen, por kanë trajtim dhe përkujdesje të veçantë, dhe siç shkruan ai, tek ne në Kosovë ndodh e kundërta, si në rastin e diasporës.
Postimi i plotë i Abrashit:
Përkujdesja institucionale që i mungon diasporës sonë – Hapat që duhet t’i ndërmarrë shteti
Në çdo vend të botës asetet kombëtare jo vetëm se çmohen dhe nderohen, por kanë trajtim dhe përkujdesje të veçantë. Tek ne në Kosovë ndodh e kundërta, si në rastin e diasporës.
Kur flitet për diasporë, flitet për remitenca, për kontributin që ata japin, për rritjen buxhetore që ia sjellin Kosovës, për përkujdesjen e tyre ndaj familjarëve dhe të afërmve, për dasmat e ahengjet që duhet t’i marrin përsipër, por shumë pak flitet e edhe më pak veprohet në drejtim të lehtësirave institucionale që ata duhet t’i kenë.
Në një qeverisje të re dhe të përgjegjshme, shteti i Kosovës pos shumë projekteve që duhet t’i hartojë, në kuadër të zyrës për investime nga diaspora (që duhet të jetë zyre pranë kryeministrit), e cila do të hartonte projekte të gatshme të ashtuquajtura projekte në dorë për joshje të investitorëve, do të duhej të ndërmarrë edhe një varg masash dhe veprimesh tjera lehtësuese për diasporën tonë e cila është arkitekte e krijimit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Si veprime konkrete të cilat duhet ndërmarrë me urgjencë, pos tjerash, do të duhej të ishin edhe këto shërbime:
– Organet e administratës të cilat kryejnë shërbime për qytetarët duhet të punojnë me orar të zgjatur, të paktën nga ora 08:00 deri në 18:00, nga data 1 Korrik deri me 1 Shtator. Për këtë periudhë, përveç orarit është e nevojshme rritja e sporteleve (zyrtarëve që ofrojnë shërbime në mënyrë që të eliminohen pritjet). Këtu përfshihen sektorët e gjendjes civile: regjistrimi, dokumentet e udhëtimit etj., pastaj regjistrimi i veturave, tatimet e pronave, etj..
– Duhet të krijohen lehtësira në pikëkalimet me Republikën e Shqipërisë dhe Maqedonisë; Taksa e sigurimit të automjeteve që paguhet në kufi duhet të ju mundësohet të kryhet si pagesë online përpara se ata të kenë arritur në kufi në mënyrë që të mos krijohen kolona të gjata në kufi si arsye e pagesës së kësaj takse.
– Gjatë kësaj periudhe të përpilohet një plan i veçantë për sigurimin e parkingut të veturave dhe të sigurisë në komunikacion, të përpilohet plan i veçantë për sigurinë përmes një pranie më të madhe të policisë civile nëpër ambientet me masa të mëdha njerëzish.
Këto mund të jenë vetëm disa ide dhe propozime konkrete, por një plan i hartuar nga ekspertet dhe i zbatuar nga institucionet gjegjëse është domosdoshmëri e kohës.