Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arban Abrashi ka vizituar Shoqatën e Invalidëve të luftës, Dega e Prishtinës.
Abrashi ka thënë se kategoritë e dala nga lufta do të kenë një trajtim të veçantë.
“Qasja jonë për kategoritë e dala nga lufta do të jetë bashkëpunuese nga dita e parë, dhe jo vetëm nëpër fushata, siç po synohet tani. Për banesat e përfunduara para katër vitesh nuk është formuar Komisioni për ndarjen e tyre. Tani në kohë fushate po insistohet që të bëhet një gjë e tillë. Për neve kjo është tërësisht e papranueshme. Familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët nuk e meritojnë një trajtim të tillë, që për hir të fushatës të ndahen banesat me vonesë prej katër vitesh”, tha Abrashi.
Ai iu ka premtuar atyre edhe dhurimin e nga një banese për familjet e invalidëve të luftës di dhe lirimin nga tatim në pronë, raporton Ekonomia Online.
Abrashi ka thënë se individët e dal nga lufta janë kategoria e cila kanë nevojë për dorën e institucioneve.
Kryetari i invalidëve të Luftës, dega në Prishtinë, Sylë Vitia ka thënë se deri më tani nuk janë respektuar të drejtat e tyre nga ana e qeverisjes lokale dhe presin që qeverisja e Abrashit t’i mbaj premtimet.