Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka prezantuar të shtunën projektin e tij për shndërrimin e fshatit Butoc dhe fshatrave tjera përreth në një qendër turistike për kryeqytetin.
“Banorët e Prishtinës detyrohen që për një vikend të shkojnë në Prizren ose më larg, në mungesë të një oferte më afër. Ne kemi hartuar projektin që fshatin Butoc dhe fshatrat tjera përreth t’i shndërrojmë në destinacion turistik të banorëve të Prishtinës. Me krijimin e kushteve nga komuna, hapen mundësitë për ndërtimin e restoranteve dhe hoteleve të vogla në këtë zonë”, ka thënë Abrashi.
Për të jetësuar këtë projekt ai ka propozuar tri projekte prioritare. I pari ka të bëjë me rregullimin e kanalizimit në këtë zonë, i cili është gati jofunksional.
“Është e pakuptimtë për një qytet, të cilit i tepron buxheti, ndërsa i ka lënë banorët e këtyre lagjeve pa kanalizim. Kjo praktikë është e papranueshme dhe do të ndryshojë gjatë qeverisjes time”, ka thënë Abrashi.
Projekti i dytë ai ka përmendur vazhdimin e ndërtimit të trotuareve për këmbësorë, për të krijuar mundësi qarkullimi për banorët, por edhe turistët. Në këtë mënyrë rritet edhe siguria e atyre që ecin në këmbë.
Për të rritur kapacitetet turistike Abrashi ka thënë se do të ndërtohet një rrugë deri në Grashticë, e cila ka qenë e buxhetuar më 2014, por nuk e di pse nuk është realizuar, sigurisht ka pasur mungesë të vullnetit.
“Rruga do të jetë me ndriçim me trotuare dhe me të gjithë infrastrukturën e nevojshme”, ka thënë ai.
Një projekt tjetër, i Abrashit në këtë zonë do të jetë vendosja e gypave më të mëdhenj të ujësjellësit në mënyrë që të përmirësohet furnizimi me ujë të pijshëm, deri në Grashticë dhe fshatra tjerë.
“Një projekt tjetër të cilin e kemi menduar është asfaltimi i rrugës nga Matiqani në Kolovicë, që kjo pjesë të bëhet turistike. Në këtë mënyrë ne rritim shumë më tepër potencialin e Gërmisë, me u hapë hotele dhe restorante të vogla”, ka thënë Abrashi.