Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një takimi me banorët e fshatit Barilevë, ka prezantuar planin e tij për ndërtimin e sistemit të ujitjes për kulturat bujqësore.
Abrashi ka thënë se ky fshat është i njohur për kultivimin e disa kulturave bujqësore, prandaj do të kenë prioritet subvencionet në sektorin e bujqësisë.
Ai e ka quajtur të papranueshme, shkurtimin e subvencioneve për bujqësi nga qeverisja e kaluar, ndërsa buxheti i komunës shkonte në suficit deri në 30 milionë euro në vit.
Banorët me të cilët ka kontaktuar Abrashi, kanë kërkuar ndërtimin e një ure kryesore në fshat dhe kanë marrë premtimin se ajo do të jetë pjesë e projekteve të komunës në fushën e infrastrukturës.
Kandidati i LDK-së për Prishtinën, ka thënë se gjatë mandatit katërvjeçar fokusi do të jetë zhvillimi ekonomik lokal dhe krijimi i vendeve të reja të punës për të rinjtë e kryeqytetit, por edhe riaftësimi i atyre që kanë probleme të përfshihen në tregun e punës.
“Në vitin e parë Fondi i Punësimit do të ketë në disponim 1 milion euro nga buxheti i komunës ndërsa do të rritet në vitet në vijim. Këtë fond do të synojmë ta rrisim nëpërmes përkrahjes nga niveli qendror dhe nga donatorët ndërkombëtarë. Ideja është që t’i financojmë idetë e të rinjve për krijimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Do të përkrahim edhe bizneset ekzistuese për zgjerimin e kapaciteteve të tyre”, ka thënë Abrashi.
Kandidati i LDK-së për Prishtinën, ka thënë se me Fondin Punësimit do të përkrahen të gjitha moshat, të cilat kanë humbur vendet e tyre dhe kanë probleme të përfshihen në tregun e punës, nëpërmes riaftësimeve profesionale.