Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka takuar përfaqësuese të shoqatave të grave.
Abrashi ka paraqitur platformën e tij qeverisëse për gratë para shoqatave të grave, raporton Ekonomia Online.
Ai u zotua se prioritet i qeverisjes së tij do të jetë punësimi i grave, madje edhe në pozita menaxhere.
“Nën drejtimin tim komuna do të krijoj hapësira që gratë të menaxhojnë me qytetin përmes dorës së tyre. Ne do të krijojmë kapacitete të mjaftueshme për sistemimin e fëmijëve në çerdhe në shkolla për ti mundësuar nënave tona grave tonë që të bëjnë një jetë aktive”.
Abrashi ka pohuar se nën drejtimin e tij, Komuna e Prishtinës do t’u krijojë hapësirën që meritojnë grave dhe vajzave tona, që ta menaxhojnë kryeqytetin, ashtu siç menaxhojnë shtëpitë tona.
“Jam i vetëdijshëm se barrën e përkujdesjes, jo vetëm ndaj fëmijëve, por edhe ndaj personave të moshuar, gjyshërve tanë të dashur, e mbajnë nënat, gratë dhe motrat tona. Ne synojmë dhe kemi projekte konkrete për ndërtimin e institucioneve të kujdesit ditor dhe kujdesit të përhershëm për moshat e treta. Ata meritojnë, që krahas ngrohtësisë së familjes, të kenë një jetë sociale dhe rekreative me bashkëmoshatarët e tyre”, ka thënë Abrashi.
“Ne jemi përkujdesur që në programin tonë të parashohim fuqizimin e gruas në shoqërinë tonë. Do të fokusohemi për eliminimin e paragjykimeve që përballen gratë dhe ato do të jenë pjesë e çdo sfere si në bujqësi arsim shëndetësi dhe me bindje e them që janë shumë të zonja. Punësimi për gratë do të jetë prioritet në secilën fushë”.
“Vota për gratë e LDK-së është votë për prosperitetin e gruas kudo në Kosovë”.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, tha se nuk ka emancipim të një shoqërie pa një pjesëmarrje aktive të gruas, raporton EO.
Mustafa tha se Abrashi do të jetë kryetar, ngase është i përgatitur dhe një kandidat që Prishtinës do të ia jap një frymë të re.
“Ne llogarisim që Arban Abrashi do të jetë kryetar i Prishtinës i cili është një njeri i përgatitur dhe një kandidat që Prishtinës do të ia jap një fytyrë të re. Jam shumë i bindur që me kandidatët që kemi propozuar kemi arritur që të kemi njerëz që kanë dhënë shembullin personal me përgjegjësinë e tyre demokratike”.
Mustafa tha se kanë një plan të qartë për mbështetjen e grave.
“Jemi të interesuar që ta zhvillojmë ekonominë dhe ne kemi shumë programe të mira për zhvillimin ekonomik lokal, kemi programet për mbështetje të iniciativave private për të cilat kanë gratë dhënë shembull me bizneset e tyre dhe meritojnë përkrahjen tonë sepse në qoftëse ne zgjidhim problemin e punësimit ne zgjedhim shumë çështje”.
Mustafa ka përmendur tri prioritetet kryesore të LDK-së, për zgjedhjet e 22 tetorit. “Zhvillimi ekonomik lokal, ku përfshin krijimin e vendeve të reja të punës, sektori i arsimit dhe politikat e qëndrueshme lokale, janë prioritete tona në këto zgjedhje”, ka thënë kreu i LDK-së.
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Vlora Dumoshi, ka thënë se gjatë qeverisjes në Prishtinë, por edhe në nivelin qendror, LDK ka dhënë shembull për avancimin dhe fuqizimin e grave. Ajo ka thënë se me qeverisjen e Abrashit dhe të LDK-së, gruaja do të jetë faktori kryesor që do të bëjë ndryshimin në kryeqytet.