Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, sot ka shpërnda certifikatat e trajnimit për 25 rrobaqepëse të cilat janë kualifikuar në fushën e tekstilit, në kuadër të një marrëveshje të arritur vitin e kaluar mes MPMS-së dhe Qendrës për Aftësime Profesionale – BUSMEK, nga Bursa e Turqisë.
Ministri Abrashi tha se në bashkëpunim me partnerët MPMS-ja po ofron programe trajnimi, për të përgatitur njerëzit për vetë-iniciativë dhe vetëpunësim.
“Bursa për ne është një eksperiencë e mirë në sektorin e tekstilit, dhe ne sot po kurorëzojmë sukseset e para. Ne do të vazhdojmë tutje me sigurimin e pajisjeve, si dhe po synojmë hapjen e një kursi të ri për trajnimin e grave dhe vajzave në sektorin e tekstilit edhe ne qytetin e Podujevës”, tha ai.
Ministri Abrashi falënderoi miqtë nga Turqia, të cilët kanë bërë të mundur realizimin e këtij programi trajnues.
I kënaqur me rezultatet e arritura është shprehur edhe përfaqësuesi i Qendrës për Aftësime Profesionale nga Bursa, Ejup Arda, i cili tha se puna e treguar nga vajzat dhe gratë që kanë ndjekur kursin, na obligon që të vazhdojmë tutje edhe me programe tjera në të ardhmen.