Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, takoi Fadil Shurdha, kryetar dhe Enver Krasniqi, sekretar të Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, me të cilët biseduan për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes për këtë shoqatë.
Ministri Abrashi theksoi se bazuar në përgjegjësitë që ka MPMS-ja, do të mundohet që çdo herë të jetë afër kësaj kategorie të ndjeshme në përkrahjen e kërkesave të tyre për rehabilitim sipas mundësive buxhetore.
Kryetari i shoqatës Fadil Shurdha duke falënderuar ministrin Abrashi për përkrahje, njëherit kërkoi nga ministria që të përkrahë edhe këtë vit programet për rehabilitim të prezentuara nga shoqata, si dhe të shikojë mundësinë për financimin apo sigurimin e mjeteve financiare nga Qeveria e Republikës së Kosovës për realizimin e projektit për protezat e invalidëve të luftës.
Ministri Abrashi dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, biseduan për mundësinë e krijimit të një komisioni të përbashkët, ku do të përfshiheshin përfaqësuesit e të gjitha shoqatave dhe institucioneve qeveritare të linjës që do të merren me shqyrtimin dhe analizimin e tërë pakos ligjore të përfituesëve të skemave pensionale që përfitojnë nga shteti, po ashtu u pajtuan që të fillojë implementimi dhe zbatimi i rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm.