Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, vizitoi sot Qendrën për Aftësime Profesionale në Prishtinë. Në këtë Qendër sot ka filluar trajnimi i mbi 25 vajzave dhe grave të reja në sektorin e tekstilit.
Në vazhdën e bashkëpunimit me Komunën e Bursës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përkatësisht Qendra për Aftësime Profesionale është pajisur me makinerinë e nevojshme për trajnimin e kandidatëve në sektorin e tekstilit, donacion ky në kuadër të bashkëpunimit të Ministrisë dhe Komunës së Bursës.
Ministri Abrashi tha se, fillimisht ky trajnim i ndihmuar nga MPMS dhe Komuna e Burses, do të përgatisë profesionalisht vajza dhe gra në fushën e tekstilit dhe tanimë ky projekt është iniciuar dhe trajnimi po zhvillohet në dy ndërrime.
Abrashi ka shtuar se Memorandumi i Bashkëpunimit që ka filluar të jetësohet, është shumë i mirëseardhur, pasi që në këtë mënyrë përveç trajnimit po bëhet edhe shkëmbimi i përvojave në aftësimet profesionale, kusht i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
Në jetësimin e këtij bashkëpunimi, Ministri ka falënderuar edhe shoqatën kulturore “Kosova – Shkupi”, në Bursa të Turqisë.