(E plotësuar) Banorët e fshatit Abri të komunës së Drenasit kanë ardhur në Prishtinë për të protestuar para ndërtesës së qeverisë për mbylljen e shkollës së fshatit të tyre, sikur thonë nga kryetari i kësaj komune, Ramiz Llarovci.
Ata pritën rreth një orë me shpresën që dikush nga krerët e qeverisë t’i ftojë në takim për të biseduar dhe për të gjetur një zgjidhje për problemin e tyre.
Por pasi që nga ana e Qeverisë nuk iu përgjigj askush, ata u dakorduan që në orën 13:00 protestën ta vazhdojnë pranë objektit të Ministrisë së Arsimit.
Banorët e fshatit Abri të Drenasit akuzojnë kryetarin e komunës për keqpërdorim të buxhetit të shkollës
Disa banorë të fshatit Abri të Komunës së Drenasit kanë protestuar pranë Qeverisë së Kosovës me kërkesën për të hapur shkollën “Shotë Galica” të fshatit Abri, e cila është mbyllur, sipas tyre, në mënyrë arbitrare dhe me arsyetim jo të mirë.
Protestuesit me thirrjen “Mos na lini fëmijët pa shkollë”, thanë se janë në pyetje 116 nxënës të cilët kanë mbetur në oborrin e shkollës duke u endur dhe me shpresën që kjo shkollë do të hapet shumë shpejt, raporton Ekonomia Online.
Protestuesit thanë që kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ka mbyllur shkollën me arsyetim që nuk ka buxhet. Sipas tyre, buxheti ekziston, por ai e ka keqpërdorur.
Ismajl Hoti, kryetar i sindikatës së shkollës “Shotë Galica” në Abri të Epërme, tha se që 6 javë nxënësit e kësaj shkolle po sillen në oborr, duke pritur të mbajnë mësim.
“Kjo protestë po mbahet për hapjen e shkollës në lagjen ‘Muliqi 2’, sepse prej fillimi, tani java e 6 e mësimit, nxënësit i kemi në oborrin e shkollës pa u përfillur nga askush me një vendim arbitrar të kryetarit të komunës. Nxënësit sillen tani në oborr që një muaj, nuk di a ndodh kjo dikund me të vërtetë”.
“Ministria e Arsimit ka kthyer një përgjigje pozitive se gabimi është i komunës së Drenasit. Atje thonë që gabimi nuk është te ne. Me të vërtetë nxënësit janë ata që pësojnë më së shumti, janë të familjes Deliu, Muliqi, Hysenaj të gjitha që kanë dhënë për lirinë e Kosovës. Është numër i madh i nxënësve të familjeve të tyre dhe sot na mbeten në oborr afër një muaj dhe dikush duhet të marrë përgjegjësi për këtë”, tha ai.
Sipas Hotit, arsyetimi se numri i nxënësve është i vogël, nuk qëndron. Ai po ashtu akuzoi kryetarin Lladrovci se i ka kërcënuar arsimtarët dhe nxënësit.
“Nuk ka arsyetim, pa arsyetim është mbyllë. Numër i vogël i nxënësve. Nuk është e vërtetë që është numër i vogël i nxënësve, është numër i mjaftueshëm i nxënësve, vetëm një vendim arbitrar. Me datën 30 gusht është marrë vendimi dhe me 3 shtator janë lajmëru nxënësit që nuk ka mësim edhe u mbyll çështja, më nuk di. Vjen kryetari i komunës brenda sallës së arsimtarëve, kërcënon arsimtarët, nxënësit në të gjitha format më të vrazhdë që ekziston”, tha ai.
Hoti tha se nxënësve iu është thënë të shkojnë në një shkollë tjetër e cila, sipas protestuesve, është shumë larg dhe fëmijët e kanë të pamundur të ecin aq shumë. Ai tha se fjala është për 116 nxënës nga cikli parashkollor deri në klasën e 8, raporton EO.
“Mësuesit e shkollës kanë mbetur, vendet janë shpallur, dy mësues kanë shku duke qajtë te shtëpia. Janë dy afër pensionit e sot detyrohen të shkojnë në shtëpi duke qajtë”, tha Hoti.
Ai tha se kjo gjendje është krim në arsim dhe shtoi se MAShT ka hequr dorë ku ka thënë se nuk është përgjegjës për mbylljen e shkollës.
Sipas Musa Hajdarajt, prind, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka marrë vendim të njëanshëm. Ai shtoi se kjo shkollë i plotëson të gjitha kushtet dhe i ka të gjitha standardet.
“Ramiz Lladrovci e ka marrë një vendim të njëanshëm dhe është keq se ajo shkollë ka punuar që nga viti 2008. Ka punu 10 vite ajo shkollë dhe ka pasë buxhet, por tani është mbyllë me një vendim të njëanshëm të Ramiz Lladrovcit”, tha Hajdaraj.
“Shkolla i plotëson kushtet dhe i ka të gjitha standardet, vetëm problemi është se ky ka marrë një vendim të njëanshëm, tani muaji i dytë ka fillu dhe nxënësit kanë mbetur pa shkollë”, shtoi Hajdaraj.
Sipas Hajdarajt, këmbëngulës për mbylljen e shkollës janë kryetari Ramiz Lladrovci dhe drejtori i Arsimit, Tafil Halilaj.
“Kryetari Lladrovci është këmbëngulës kategorik për ta mbyllur këtë shkollë dhe drejtori i Arsimit Tafil Halilaj, këta dy janë për me u mbyllë shkolla. Ata po thonë që nuk kemi buxhet me financu, buxheti ka qenë dhe është por e kanë keqpërdoru buxhetin dhe kjo është arsyeja”, shtoi Hajdaraj.
Protestuesit po kërkojnë takim me dikë nga krerët e qeverisë për të marrë ndonjë përgjigje.