Farmacistët që prodhojnë ilaçe kundër kancerit mund të fitojnë më shumë se 1.000 euro me vetëm një infuzion. Këtë tregojnë hulumtimet e mediave gjermane WDR, NDR, SZ dhe Monitor.
Pesë mijë euro çdo muaj madje dhe më tepër fitime mund të kesh. Kështu, kujton Robert Herold, të cilit një mjeke e kancerit, pra, onkologe, i kërkoi ryshfet. Ai ishte ende shumë i ri atëherë, sapo kishte mbaruar studimet dhe do të merrte në dorë drejtimin e farmacisë së të ëmës. Ai refuzoi.
Por, me ato biseda filloi udhëtimi i gjatë 18-vjeçar i Heroldit që përfundimisht do ta çonte atë të bëhej një sinjalizues për çfarë ndodh me ilaçet kundër kancerit. Në bisedat me mediet gjermane WDR, NDR, SZ dhe revistën televizive investigative ARD Monitor, Herold raporton se një farmacisti që përgatit infuzione për kimioterapi kundër kancerit, disa receta mund t’i sjellin disa qindra, ndonjëherë mbi 1.000 euro fitim.
Disa vjet më vonë, thotë Heroldi, ai u përpoq përsëri të merrte një onkolog për farmacinë e tij. Në takim ai i ofroi shërbime të ndryshme: ai mund të prodhonte në mënyrë fleksible në çdo kohë të ditës ose të natës dhe të dërgonte ilaçe në zyrën e mjekut, e do të ishte i lumtur të merrte përsipër edhe komunikimin me pacientët, raporton dw.
Por onkologu nuk ishte i interesuar për asgjë nga këto, thotë Herold. Ai donte dhjetë për qind të shitjeve të ilaçeve kundër kancerit si provizion: 20.000 euro në muaj.
Në Gjermani ka gjithsej vetëm rreth 300 farmaci që kanë licencën dhe kushtet për të prodhuar citostatikë që përdoren si infuzione për kimioterapi,
Heroldi i konsideron fitimet e mëdha që farmacistët si ai, të cilët prodhojnë barna citostatike, mund t’i bëjnë “moralisht të dënueshme”. Ndaj puliku ka të drejtë ta di të vërtetën.
Fitimet 749 euro për një kuti
Listat interne që posedojnë edhe NDR, WDR, SZ dhe ARD Monitor për disa shitës me shumicë gjatë disa viteve janë pothuajse 20 faqe. Çmimet për afro 1000 barna kundër kancerit janë renditur me shkronja të vogla.
Farmacisti mund të fitojë 749 euro shtesë për çdo paketë të përbërësit aktiv. E ky nuk është një rast i izoluar. Merrni, për shembull, Trastuzumab, një ilaç që rekomandohet shumë dhe shpesh: Sigurimi shëndetësor paguan 1.439 euro për paketë, ndërsa çmimi me shumicë është vetëm 390 euro. Disa qindra, ndonjëherë më shumë se 1000 euro fitime shtesë për farmacistin – për vetëm një infuzion të vetëm.
Çmimet e negociueshme
Farmacistët shpesh bëjnë më shumë fitime në mënyra të tjera. Arsyeja është një përjashtim i veçantë: ndryshe nga pothuajse të gjitha barnat e tjera, farmacistëve që prodhojnë ilaçe kundër kancerit u lejohet të negociojnë për çmimet e barnave me prodhuesit dhe tregtarët. Problemi është se sigurimet shëndetësore shpesh nuk i njohin çmimet aktuale të blerjes dhe u paguajnë farmacistëve një çmim të dakorduar paraprakisht.
Fitimet ndonjëherë janë të mëdha. Kjo del në pah nga listat e brendshme të çmimeve në të cilat kishin akses NDR, WDR, SZ dhe Monitor. Gazetarët krahasuan kostot e sigurimit shëndetësor me çmimet aktuale të blerjes në listat e çmimeve me shumicë.
Vetëm me pesë përbërësit aktivë më të shitur, mbrojtjes së patentës së të cilave ka skaduar, kompanitë e sigurimeve mund të kursejnë deri në 500 milionë euro në vit.
“Si në pazar”
Një farmacist tregoi konkretisht me shembuj se barnatoret në fakt furnizohen nga prodhues të ndryshëm me çmime të ulëta. Bëhet fjalë për të ashtuquajturat barna gjenerike, produkte krejtësisht normale me datë të rregullt.
Lidhja e Sigurimeve Shëndetësore Publike (GKV) negocion për çmimet e barnave me Shoqatën Gjermane të Farmacistëve (DAV). Pjesëmarrësit në negociata sillen “si në treg”, raportojnë NDR, WDR dhe SZ.
Zëdhënësi i GKV-së, Florian Lanz, fillimisht në një intervistë për revistën televizive “Monitor” tha se nuk i njihte listat e çmimeve për farmacistët. Por shoqata qendrore më vonë pranoi se në vitin 2020 kishte marrë në mënyrë konfidenciale disa pjesë nga një listë e tillë çmimesh.
Problemi: Sigurimet shëndetësore kërkojnë vetëm çmimet nga prodhuesit – por çmimet e raportuara nga kompanitë e barnave janë dukshëm më të larta se ato që mund të paguajnë farmacistët. Nëse farmacistët dhe kompanitë e sigurimeve nuk mund të bien dakord për çmimet, atëherë kjo duhet të vendoset nga një bord arbitrazhi. Sipas hulumtimeve, as bordi i arbitrazhit nuk ka lista çmimesh.
Pse kompanitë e sigurimeve shëndetësore nuk arrijnë të përcaktojnë çmimet e duhura – veçanërisht pasi revista Panorama e ARD-së dhe e përjavshmja Stern botuan në 2016 se marzhet e fitimit për barnat kundër kancerit janë shumë të larta dhe se ka përpjekje për ryshfet?
Me sa duket, siguruesit shëndetësorë rrallë pyesin kompanitë e barnave për çmimet reale të disa ilaçeve të rëndësishme kundër kancerit. Siç tregon hulumtimi i NDR, WDR, SZ dhe Monitor, për çmimet e bevacizumabit dhe rituximab, për shembull, ata kanë kërkuar vetëm në 2017 dhe 2021.