Një organizatë jo-qeveritare që gjurmon abuzimet në sistemin e burgjeve të Rusisë ka publikuar një video që tregon se si abuzohen të burgosurit në vend.
Kjo video, shfaq abuzimet seksuale dhe torturat ndaj të burgosurve në një spital famëkeq burgu.
“Këto pamje janë tmerrësisht të pakëndshme për t’u parë, të cilat shkaktojnë stres dhe indinjatë. Është e rëndësishme t’i tregojmë botës thelbin e torturave që bëhet në sistemin e burgjeve të Rusisë dhe për t’i detyruar autoritetet që t’i japin fund metodave çnjerëzore”, thotë Vladimir Osechkin, themeluesi i grupit Gulagu, gjatë kësaj videoje në YouTube.
Videoja që përmban gjashtë klipe ndërmjet periudhës korrik 2015 – shtator 2020, shfaq oficerët duke urinuar mbi të burgosurit e lidhur, duke kryer marrëdhënie seksuale dhe duke i prerë (gjymtuar) ata me sende të mprehta.
Gulagu pretendon se aktet e abuzimit në spitalin e burgut në qytetin e Vollgës të Saratovit u mbikëqyrën nga oficerë të lartë të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) dhe Shërbimit Federal të Burgjeve (FSIN), të cilët dyshohet se kishin koordinuar veprimet me zyrtarë të tjerë federalë.
OJQ-ja, videon ia ka dërguar Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit e Ndëshkimit Çnjerëzor dhe Poshtërues (CPT).
Osechkin themeloi organizatën e të drejtave të njeriut Gulagu për të monitoruar shkeljet e të drejtave të të burgosurve në të gjithë Rusinë. Ai u largua nga Rusia në vitin 2015 dhe aktualisht banon në Francë.