Ylli i hitit “Hello”, Adele, besohet se është rikthyer në vendlindje për të punuar rreth albumit të saj të ri. Këngëtarja dëshiron ta kthejë gjithë fokusin në muzikë dhe të sigurohet që secila këngë e albumit të ardhshëm, është e përkryer.
“Adele dëshiron të jetë larg vëmendjes së mediave gjatë qëndrimit të saj në Britani të Madhe. Dhe kjo gjë është fare e lehtë tani, kur mund ta mbulosh fytyrën me një palë syze të mëdha dhe një maskë. Njerëzit nuk po e njohin atë në rrugë, si më parë. Për shkak të situatës së shkaktuar nga koronavirusi, ajo nuk ka pasur rastin të lansojë muzikë të re, prandaj është fokusuar në finalizimin e çdo kënge në mënyrë të përkryer”, citohet të ketë thënë një burim i këngëtares për gazetën “The Sun”.
Lajmi për angazhimin e këngëtares 32-vjeçare në përfundimin e albumit të ri, vjen pasi Adele e kishte pranuar që nuk ka fare ide se kur do të lansohet ai për publikun mbarëbotëror, transmeton Koha.
Ylli i shumëshpërblyer e ka hapur zemrën dhe shpirtin në krijimin e këtij albumi, duke bashkëpunuar me artistë të shquar të muzikës si, Raphael Saadiq dhe John Legend.
Po ashtu është bërë e ditur se Adele e ka shfrytëzuar procesin e punës rreth albumit të ri sikur terapi, kjo ngaqë e ka pasur një vit të vështirë pas shkurorëzimit nga Simon Konecki, me të cilin e ka një djalë. Aktualisht, në mediat e huaja spekulohet se ylli i hitit “Someone Like You”, është në lidhje dashurie me reperin e njohur, Skepta.