Kryeministri në detyrë Isa Mustafa së bashku me ekipin e tij e kanë vizituar Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, në të cilin kanë përfunduar punimet.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se nga shtatori klubet tona nuk do të udhëtojnë jashtë vendi për të zhvilluar ndeshjet.
“Që nga shtatori, ekipi përfaqësues, klubet tona dhe tifozët tanë të shkëlqyer, nuk do të detyrohen të udhëtojnë jashtë Kosovës për të përcjellur ndeshjet. Dje, me rastin e përfundimit të punimeve, vizituam Stadiumin Olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, të cilat janë verifikuar dhe janë testuar sistematikisht dhe përfundimisht janë pranuar nga UEFA dhe FIFA”, ka shkruar Mustafa.
“Po punohet shumë në stadiumin e Prishtinës dhe ai do të jetë gati për përfaqësuesen. Kemi filluar përgatitjet që t’i kthejmë në stadiume që plotësojnë kushtet për zhvillimin e garave ndërkombëtare edhe stadiumet në Gjilan dhe Pejë”, ka shkruar ai.
“Ndërkaq, tashmë ka filluar faza e parë për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar ‘Dardania Arena’ që do të ndërtohet në Bërnicë të Poshtme, ku do të vazhdojnë investimet derisa të finalizohet në tërësi”, ka shkruar Mustafa.