Administrata e Trumpit fshehurazi mori të dhëna nga telefonat e gazetarëve të NYT

Prishtinë | 03 Qer 2021 | 13:04 | Nga Ekonomia Online

Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara u ka marrë të dhënat në mënyrë sekrete nga telefonat katër gazetarëve të gazetës “The New York Times” në vitin 2017, gjatë kohës së pushtetit të ish-presidentit Donald Trump.

Kjo është hera e tretë e zbulimit të dokumenteve rreth zbatimit të ligjit në javët e fundit, duke zbuluar taktika të përdorura nga administrata e ish-presidentit Trump si pjesë e përpjekjeve për t’i zbuluar burimet e gazetarëve.

Departamenti i Drejtësisë gjithashtu i tha gazetës se ka siguruar urdhër gjykate për t’i marrë të dhënat e gazetarëve, por jo përmbajtjen e e-mailave.

“Konfiskimi i të dhënave në telefonat e gazetarëve e minon thellësisht lirinë e shtypit. Është kërcënim për t’i heshtur burimet nga të cilat ne varemi për t’i ofruar publikut informata thelbësore rreth asaj se çfarë është duke bërë qeveria”, tha Dean Baquet, drejtor ekzekutiv i gazetës “The New York Times”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, më herët ka thënë se praktika e Departamentit të Drejtësisë që të marrë të dhëna nga telefonat e gazetarëve është “thjesht e gabuar”. Ai kishte thënë se nuk do të lejojë një gjë të tillë gjatë kohës sa është në pushtet.

Departamenti i Drejtësisë nuk tregoi se cili artikull i gazetës po hetohej, por gazeta spekuloi se agjencia federale ishte duke hulumtuar rreth një artikulli për rolin e ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, në trajtimin e hetimeve gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Të ngjashme