Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Mario Banozhiç ndodhet për një vizitë zyrtare në Kosovë, gjatë së cilës vizitoi selinë e KFOR-it dhe u takua me ushtarët kroatë të vendosur në kampin Vilagio afër Pejës.
Këta ushtarë përbëjnë kontingjentin kroat në kuadër të operacionit të KFOR-it dhe numëron rreth 130 ushtarë.
Megjithatë, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, nuk udhëtoi drejt Kosovës asnjë përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Kroacisë, gjë që nuk është e zakonshme.
Sipas mediumit, ai duhet domosdosmërisht të shoqërohet gjithmonë nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë apo ndonjë zyrtar tjetër të lartë ushtarak, por kjo nuk ndodhi këtë herë.
Ministria e Mbrojtjes kroate, ka thënë sot për Jutarnji List se admirali Robert Hranj, pjesëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Kroacisë, ishte konfirmuar si pjesë e delegacionit për vizitën e planifikuar në Kosovë.
Siç raporton Jutarnji List, për vizitën zyrtare në Kosovë ishin blerë bileta avioni dhe një biletë ishte e destinuar për admiralin Robert Hranj. Megjithatë, në fund ka ndodhur një ndryshim.
Ministria e Mbrojtjes pretendon se janë njoftuar nga admirali Robert Hranj që nuk do të shkonte në vizitën e planifikuar në Kosovë, për arsye personale.
Ushtria kroate sugjeroi që zëvendësuesi i tij të bëhej pjesë e delegacionit.
Por, Ministria e Mbrojtjes pretendon se kjo nuk ka qenë e mundur, pasi biletat e avionit nuk mund të transferoheshin tek një person tjetër, dhe afatet për prenotimin e biletave të reja ishin jashtëzakonisht të shkurtra.
Jutarnji list raporton se admirali Hranj ndodhet në një pushim shtatë ditor. Edhe presidenti kroat Zoran Milanovic tha të premten e kaluar se Hranj është me pushime dhe për këtë nuk mori pjesë në festën e Ditës së Forcave Ajrore Kroate.
Mirëpo, siç shkruan Jutarnji list, disa pjesëtarë të sistemit ushtarak mendojnë se Hranj ka shkuar me pushime vetëm për të shmangur “shoqërimin” në Kosovë me ministrin e Mbrojtjes.
Konkretisht, Hranj së fundi ka akuzuar ministrin Banozhiç për “abuzim strategjik” me të, ndërsa Banozhiç ka kërkuar që ai të japë dorëheqje, raporton Jutarnji List.
Siç shkruan Jutarnji, pritet që Hranj të kthehet në punë javën e ardhshme, pasi presidenti Zoran Milanoviq do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë më 23 dhe 24 dhjetor.