Adnan Merovci, bashkëpunëtori i ngushtë i ish-Presidentit Ibrahim Rugova, ka rrëfyer për rrugëtimin e Kosovës drejt shtet-ndërtimit duke e theksuar rolin dhe angazhimin e Presidentit Rugova për pavarësinë e Kosovës.
Merovci në Info Magazine të Klan Kosovës ka deklaruar se ish-Presidenti Ibrahim Rugova është kontribuues i madh pavarësisë dhe madje duhet vënë një epitet të veçantë:
“Ibrahim Rugova është i madh, është i të gjithëve. Është shndërruar në një model referencial nga e kaluara e deri më sot”.
“Historikisht, kontributet janë të mëdha, ndoshta duke filluar nga Skënderbeu, mirëpo kontribuuesi më i madh është vet populli”.
“Shteti i Kosovës e ka një babë të vet. Ibrahim Rugova është ‘Baba i Pavarësisë’”.
“Sot kur po flasim, ishte i vetmi njeri në Kosovë që i besoi idesë së Pavarësisë. Duhet ta pranojmë që ishte i vetmi. Ai ishte një dijetar i të gjithëve”.
”Ibrahim Rugova sot e meriton epitetin: ‘Baba i Pavarësisë’. Figura e Rugovës do të tentohet edhe të kritikohet – por s’ka asnjë të keqe, sepse njeriu i madh kritikohet”.
”Në kohën e tij është kritikuar, është kritikuar edhe më pas. Periudha kohore, realiteti, i nxjerr gjërat në sipërfaqe”.
”Ka shumë politikanë që e kanë kritikuar Rugovën, por ka figura aktuale politike që tani edhe tentojnë ta imitojnë atë”.
“Edhe Presidenti Thaçi po e imiton Presidentin Ibrahim Rugova, me mënyrë të komunikimit… Bile edhe me fotografinë me Papën”.