Aeroportet e Londrës, miliona paund për mbrojtjen nga dronët

Prishtinë | 04 Jan 2019 | 09:16 | Nga Ekonomia Online

Aeroportet britanike Gatwick dhe Heathrow do të shpenzojnë miliona paund në teknologjinë “antidrone”, pas problemeve të shkaktuara në Aeroportin e Sussexit pak para Krishtlindjes.

Pajisjet që mund të pikasin dhe bllokojnë komunikimet mes një droni dhe operatorit të tij janë dislokuar tashmë nga Forcat Ajrore britanike mbi një tarracë në Gatwick.

Rreth 1.000 fluturime u anuluan gjatë 3 ditëve, për shkak të dronëve që u pikasën të fluturonin mbi aeroport. Operatori i Gatwick tha se ka shpenzuar 5 milionë paund për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen, ndërsa ai i Heathrow konfirmoi se do të blinte të njëjtat sisteme.

Më shumë se 140 mijë pasagjerë në Gatwick u prekën gjatë 36 orëve të kaosit, mes datës 19 dhe 21 dhjetor. Ushtria u thirr nga qeveria dhe u largua që andej vetëm të mërkurën. Ministria e Mbrojtjes tha se personel nga regjimenti i Forcës Ajrore Mbretërore u përfshi në operacion.

Vitin e shkuar u raportua se Departamenti i Mbrojtjes kishte porositur një sistem të pikasjes së dronëve, të prodhuar nga një kompani izraelite. Sistemi ka një rreze veprimi prej disa kilometrash dhe përdor 4 radarë, për të pasur një fushëveprimi 360 gradë në pikasjen dhe gjurmimin e dronëve.

Sidoqoftë është mësuar se Departamenti i Mbrojtjes po pret të marrë sistemin dhe se një teknologji alternative është përdorur në Gatwick.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme