Njerëzit që vijnë në aeroportin “Heathrow” të Londrës nga rajonet kineze që janë prekur nga virusi misterioz do të kalojnë nëpër një zonë të veçantë. Kjo masë është marrë si përpjekje për ta parandaluar përhapjen e virusit në Mbretërinë e Bashkuar.
Ministri britanik i transportit, Grant Shapps, njoftoi se organet e shëndetit publik janë duke i marrë disa masa parandaluese. Sipas tij, niveli i njoftimit për rrezikun nga virusi është ngritur nga “shumë i ulët” në “të ulët” dhe se autoritetet janë duke e përcjellë gjendjen me shumë kujdes.
Më vonë, ministri i shëndetësisë, Matt Hancock, pritet që më vonë gjatë ditës t’i bëjë publike masat e tjera, përfshirë angazhimin e ekipeve mjekësore për t’i kontrolluar udhëtarët që vijnë nga qyteti Wuhan.
Ndryshe, ekzistojnë tri fluturime të drejtpërdrejta në javë nga Wuhan-i drejt Londrës dhe anasjelltas.
Masat e qeverisë britanike vijnë në kohën kur Organizata Botërore e Shëndetësisë pritet të shpallë gjendje emergjente ndërkombëtare për shëndetin publik shkaku i virusit vdekjeprurës, njësoj siç kishte vepruar në rastet e Ebola-s dhe gripit të derrit.
Nëntë persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë infektuar nga ky virus, i cili fillimisht u përhap në qytetin Ëuhan të Kinës e më pas edhe jashtë këtij shteti, përfshirë Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara, shkruan “The Guardian”.