Aeroporti i Prishtinës me performancën më të mirë, sipas EasyJet

Prishtinë | 25 Jan 2017 | 15:05 | Nga

Viti 2016ishte viti më i suksesshëm në historinë e ANP “Adem Jashari”, përgjatë të cilit është shënuar rritje e konsiderueshme e numrit të udhëtarëve e gjithashtu shërbimet e aeroportit janë performuar me një efikasitet të lartë.

Për efikasitet dhe performancë të jashtëzakonshme, vetëm gjatë vitit të kaluar janë pranuar shumë mirënjohje e vlerësime nga kompanitë ajrore përfshirë edhe mirënjohjet nga kompania ajrore EasyJet – kompani që operon me kosto të ulët (Low Cost).

Një mirënjohje e tillë, për procesin të shpejtë të fluturimeve, udhëtarëve dhe bagazhit të tyre i është ndarë ANP “Adem Jashari” nga Easyjet edhe për muajin Dhjetor 2016, duke dëshmuar performancë më të mirë se të gjitha aeroportet e tjera nga më shumë se 30 shtete ku EasyJet operon pa aeroplanë të stacionuar.

Si rezultat i përkushtimit të dëshmuar në punë, EasyJet për më tepër ka falënderuar në buletinin e tij të muajit Dhjetor edhe personelin e ANP “Adem Jashari” për shërbimet e ofruara ndaj kësaj kompanie ajrore.

“Suksesi i arritur në numrin e udhëtarëve të shërbyer na inkurajon që të vazhdojmë me përkushtimin tonë maksimal në ofrimin e shërbimeve të kualitetit të lartë dhe ofrimin e kushteve sa më të favorshme ndaj kompanive ajrore për të operuar në ANP ‘Adem Jashari.

Falë lehtësirave që ne si Limak Kosova International Airport ofruam për kompanitë ajrore, për herë të parë në historinë e tij Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka arritur shifrën rekord prej 1,744,202 udhëtarëve. Krahasuar me vitin 2015, ky numër shënon rritje prej 12.6% , përderisa numri i fluturimeve është rritur për 8.1%’” – ka deklaruar me këtë rast drejtori gjeneral i Limak /ANP “Adem Jashari”, Haldun Kokturk.

 

Të ngjashme