Në Preshevë është mbajtur Konferenca e III-të Ekonomike “Ekonomia shpëton Luginën e Preshevës”, e organizuar nga Unioni i Afaristëve “Vizioni” Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, ku u vendos edhe gurthemeli i projektit strategjik “Hambari i Luginës” — një investim që pritet të shndërrojë sektorin bujqësor të rajonit dhe të krijojë dhjetëra vende të reja pune, raporton Ekonomia Online.
Në fjalën e tij, kryetari i Unionit të Afaristëve “Vizioni” P.M.B, Xhelal Memeti, tha se kjo ditë shënon fillimin e një vepre të madhe ekonomike dhe simbolizon përpjekjen shumëvjeçare të afaristëve për zhvillimin e Luginës.
“Sot po bëhet fillimi i veprës, në Preshevë, aty ku nisi gjithçka po e festojmë fillimin e ndërtimit të Hambarit të Luginës. Pas dy vitesh punë të palodhur, pas qindra takimeve, planeve, negociatave dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare ne arritëm që sot ta vendosim themelin. Kemi ndërtuar një rrjet global që lidh prodhuesit vendorë me tregjet ndërkombëtare, bashkon kapitalet e diasporës me mundësitë që i ka Lugina. Ky union është zëri i Luginës anë e kënd ku ka shqiptarë,” tha Memeti.
Ai shtoi se projekti “Hambari i Luginës” është simbol i ringjalljes ekonomike dhe një hap drejt zhvillimit të qëndrueshëm.
“Hambari është simbol i ringjalljes ekonomike, ku puna e fermerit kthehet në produkte me vlerë, ku rinia jonë gjen punë dhe shpresë. Do të krijohen dhjetëra vende të punës. Do të lindë një sistem i ri bashkëpunimi mes sektorit privat dhe të institucioneve lokale. Pas hambarit, do të vijë projekti për qendër për përpunim të produkteve vendore, projekti për energji të pastër, platforma digjitale për bashkimin e afaristëve, trajnime për të rinjtë dhe iniciativa për turizmin dhe kulturën për Luginën,” deklaroi ai.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, vlerësoi projektin si një mundësi për zhvillimin e bujqësisë dhe forcimin e ekonomisë lokale.
“Një projekt që do t’i japë jetë bujqësisë sonë, do t’u krijojë fermerëve tanë siguri për treg, dhe do të hapë vende të reja pune. Kjo është fillimi i një zinxhiri ekonomik lokal që lidh fermerin me tregun, prodhuesin me konsumatorin dhe ekonominë lokale me tregun rajonal. Ky është shembulli më i mirë se ekonomia bëhet përmes zhvillimit të qëndrueshëm dhe përbashkimit,” tha Sinani.
Ndërsa kryetari i Rrjetit të Biznesit Global Shqiptar, Omer Nura, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe digjitalizimit.
“Sot në këtë kohë dixhitalizimi, keni internet, keni botën dhe keni fuqinë për ta ndryshuar ardhmërinë tuaj, me një fjalë e keni botën në dorën tuaj. Kjo konferencë tregon se Lugina mund të organizojë dhe ja del mbanë për të bashkuar bizneset nga të gjitha trojet tona,” tha Nura.
Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, tha se vetë motoja e konferencës përfaqëson përkushtimin e afaristëve ndaj zhvillimit të Luginës.
“Mendoj se vetë emërtimi, vetë motoja e kësaj konference është dëshmia më e madhe e prezencës suaj në këtë konferencë pasi që vetë motoja thotë se ekonomia shpëton Preshevën. Është një dëshmi se prezenca juaj, angazhimi juaj në Luginë është më tepër se një angazhim ekonomik, është motiv për krijim e vendeve të punës, vetë angazhimi juaj krijon një bazament të rëndësishëm për gjeneratën e re që ata ta gjejnë perspektivën e tyre, të ardhmen e tyre këtu dhe të mos dalin jashtë për ta boshatisur vendin,” tha Jashari.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, e cilësoi këtë ngjarje si një ditë historike për Luginën dhe për bashkëpunimin ekonomik të shqiptarëve.
“Sot është një ditë historike për ju dhe për ne. Sot është vendosur gurthemeli i Hambarit të Luginës, një projekt që vjen si kontribut i përbashkët i bizneseve të Luginës, bizneseve të shqiptarëve, Kosovës, Maqedonisë dhe Diasporës sonë. Është gurthemel i shpresës, i besimit dhe punës së përbashkët, ai tregon se kur shtetet vonohen, bizneset ecin. Bashkimi ekonomik nuk ndodh me fjalë, ndodh me punë konkrete. Lugina nuk mund të ecë përpara vetëm me fjalë, është e pafalshme që pas kaq shumë vitesh as qeveria e Kosovës e as ajo e Shqipërisë nuk kanë ndërtuar ende një politikë të përbashkët për ta mbështetur biznesin dhe shqiptarët e Luginës”, tha ai.