Eugjen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se mandatari i ri për kryeministër ka afat deri më 19 nëntor për ta paraqitur kabinetin dhe programin qeverisës në Kuvend dhe për të siguruar të paktën 61 vota.
“Sipas Kushtetutës, nëse deri atëherë nuk arrihet votimi me sukses, më 20 nëntor Presidentja duhet ta shpërndajë Kuvendin, duke hapur rrugën për zgjedhje të reja. Zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë pas shpalljes së tyre, ndërsa Presidentja ka deri në 10 ditë kohë për ta bërë shpalljen e datës”, ka sqaruar Cakolli.
Ai ka shtuar se, nëse Kuvendi shpërndahet më 20 nëntor, dritarja ligjore e bën të mundur që zgjedhjet të mbahen më 21 ose 28 dhjetor, ndërsa në skenarë të tjerë, edhe më 14 dhjetor apo 4 janar, varësisht nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve.