Komandanti taliban i të ashtuquajturave “forca speciale”, Mullah Shah Wali, është vrarë nga forcat afgane, thuhet në kumtesën e sotme të agjencisë kryesore të inteligjencës së Afganistanit.
Drejtorati kombëtar për siguri tha se ky komandant taliban, i njohur edhe me emrin, Mullah Naser, ishte vrarë gjatë një operacioni ajror në provincën Helmand, javën e kaluar.
Kjo provincë, e njohur për tregti me drogë, është bazë e fuqishme e talibanëve.
Para tri vitesh, Wali ishte bërë komandant i grupit taliban me emrin “Njësia e Kuqe” dhe guvernator në hije në provincën Helmand. Ai ishte direkt i përfshirë në ofensivat e talibanëve, theksohet në kumtesë.
Së bashku me Walin janë vrarë edhe tre bashkëpunëtorë të tij të afërt, gjatë operacionit në rajonin Musa Qala të Helmandit.