Shpërthim i fuqishëm në një xhami në Afganistan

Prishtinë | 12 Nën 2021 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Të paktën katër persona janë plagosur si pasojë e një shpërthimi në një xhami në lindje të Afganistanit, në kohën kur regjimi i talibanëve përballet me fushatë të vazhdueshme të dhunës nga militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS).

Një burim lokal që ka kërkuar të mbetet anonim në provincën Nangarhar, ka thënë për Radion Azadi të Radios Evropa e lirë se shpërthimi ka ndodhur në xhaminë Tarela, kur objekti ka qenë me shumë besimtarë, të cilët kanë shkuar për Lutjet e së Premtes.

Burime lokale dhe ato të talibanëve kanë konfirmuar incidentin, mirëpo nuk kanë ofruar hollësi tjera.

Në disa raportime është thënë se numri i të plagosurve ka shkuar në të paktën 15.

Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë, mirëpo militanët e IS-it, kanë kryer një mori sulmesh në këtë rajon.

Talibanët kontrollojnë gati gjithë Afganistanin, prej kur forcat ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, janë larguar nga ky shtet në fund të muajit gusht.

Për pasojë, zyrtarë të Qeverisë së kaluar, përfshirë presidentin, kanë ikur nga shteti.

Zëdhënësi i shërbimit të inteligjencës në regjimin e talibanëve, Khalil Hamraz, u ka thënë gazetarëve më 10 nëntor se janë arrestuar gati 600 luftëtarë të IS-it, përfshirë figura të larta dhe mbështetës financiarë.

Kombet e Bashkuara dhe shumë qeveri të huaja nuk e njohin regjimin e talibanëve dhe kanë paralajmëruar për katastrofë humanitare në shtetin e shkatërruar nga lufta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme