OKB: Mbi 100 të vrarë në Afganistan që kur talebanët kanë marrë pushtetin

Prishtinë | 31 Jan 2022 | 13:29 | Nga Ekonomia Online

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se ka marrë “akuza të besueshme” se më shumë se 100 anëtarë të qeverisë së rrëzuar afgane, forcat e sigurisë dhe ata që kanë punuar me trupat ndërkombëtare janë vrarë që kur talebanët kanë marrë pushtetin.

Antonio Guterres, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, ka thënë se “më shumë se dy të tretat” e vdekjeve pretendohet se kanë ardhur si rezultat i vrasjeve nga talebanët ose anëtarët e tyre.

Kjo paçka shpalljes së talebanëve për “amnisti të përgjithshme” për ata që kanë lidhje me ish-qeverinë dhe forcat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Agjencia “The Guardian” tregon se në Afganistan, misioni politik i OKB-së ka marrë edhe “akuza të besueshme për vrasje jashtëgjyqësore të 50 individëve të dyshuar për lidhje me Isil-KP”.

Ky i fundit është grupi ekstremist i Shtetit Islamik që vepron në Afganistan.

Guterres ka shtuar se pavarësisht garancive të talebanëve, misioni politik i OKB-së ka marrë gjithashtu akuza të besueshme “për zhdukje me forcë dhe shkelje të tjera që ndikojnë në të drejtën për jetë dhe integritetin fizik” të ish-qeverisë dhe anëtarëve të koalicionit.

Nga ana tjetër, ai ka zbuluar se mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe punonjësit e medias vazhdojnë “të jenë nën sulm, frikësim, ngacmim, arrestim arbitrar, keqtrajtim dhe vrasje”.

Sipas tij, tetë aktivistë të shoqërisë civile janë vrarë, duke përfshirë tre nga talebanët dhe tre nga ekstremistët e Shtetit Islamik.

Kurse 10 të tjerë u janë nënshtruar arrestimeve të përkohshme, rrahjeve dhe kërcënimeve nga talebanët.

Ndërkaq, janë vrarë dy gazetarë dhe dy të tjerë janë plagosur nga njerëz të panjohur, të armatosur.

Misionet e OKB-së, sipas sekretarit, kanë dokumentuar 44 raste të arrestimeve të përkohshme, rrahjeve dhe kërcënimeve, 42 prej të cilave nga talebanët.

“Situata në Afganistan mbetet e pasigurt gjashtë muaj pas marrjes së pushtetit nga talebanët, ndërsa tronditjet e shumta politike, socio-ekonomike dhe humanitare jehojnë në të gjithë vendin”, ka ravijëzuar Guterres.

Afganistani i sotëm, për të, përballet me kriza të shumta. Emergjencë humanitare në rritje, tkurrje masive ekonomike, gjymtim të sistemeve bankare dhe financiare dhe dështim të talebanëve për të formuar një qeveri gjithëpërfshirëse dhe për të rivendosur të drejtat e vajzave për arsimim dhe grave për të punuar.

Megjithatë, Guterres ka raportuar “një rënie të konsiderueshme” në numrin e përgjithshëm të incidenteve të sigurisë të lidhura me konfliktin, si dhe të viktimave civile që nga marrja e pushtetit nga talebanët.

Një rënie prej 91 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Por pavarësisht reduktimit të dhunës, Guterres ka theksuar se talebanët janë përballur me disa sfida, duke përfshirë rritjen e sulmeve kundër anëtarëve të tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme