Ministria e brendshme e Afganistanit ka njoftuar se pesë vetë, të dënuar me vdekje për vrasje dhe rrëmbim, dje janë ekzekutuar me varje në një burg në kryeqytetin Kabul.
“Një ish-anëtar i këshillit provincial të Heratit është në mesin e pesë personave” të ekzekutuar, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së brendshme, Najeeb Danesh.
Një gjykatë e apelit në provincën Herat, në pjesën perëndimore të Afganistanit, para një viti e ka dënuar një ish-anëtar të këshillit provincial dhe katër persona të tjerë, për rrëmbimin dhe vrasjen e të riut, Mohammad Shah, në qytetin Herat.
Ministria tha se ekzekutimet janë kryer pasi tri seanca të apelit dhe presidenti, Ashraf Ghani, e kanë konfirmuar dënimin me vdekje për këta pesë persona.