Afganistani me dy presidentë, dje u betuan në dy ceremoni paralele

Prishtinë | 10 Mar 2020 | 09:58 | Nga Ekonomia Online

Presidenti afgan, Ashraf Ghani është betuar për mandatin e dytë si president më 9 mars, ndërkohë që edhe rivali i tij, Abdullah Abdullah, ka mbajtur një ceremoni të njëjtë.

Qindra persona kanë qenë pjesë e ceremonive të inaugurimit, që janë mbajtur në dy pallate afër njëra-tjetrës në qendër të Kabulit, transmeton Rel.

Këto ceremoni janë zhvilluar edhe pas tentimeve të fundit për t’iu dhënë fund mospajtimeve në mes të Ghanit dhe Abdullahut për zgjidhje të krizës.

I dërguari amerikan në Afganistan, Zalmay Khalilzad dhe gjenerali amerikan, Scott Miller, komandant i forcave ndërkombëtare të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan, kanë marrë pjesë në inaugurimin e Ghanit.

Disa orë para nisjes së ceremonive, Abdullah ka thënë në rrjetin social Twitter se “askush nuk është dashur të nënvlerësojë përkushtimin tonë për demokraci të vërtetë”.

“Anulimi i votave mashtruese është zgjidhja”, ka shtuar ai.

Mosmarrëveshjet në mes të të dyja palëve kanë nisur prej mbajtjes së zgjedhjeve më 28 shtator, kur autoritetet kanë shpallur fitues Ghanin.

Abdullah, në anën tjetër ka shpallur veten fitues dhe është zotuar për formim të qeverisë së tij.

Këto mospajtime kanë lënë të shqetësuar aleatët e Kabulit për të ardhmen e këtij shteti, teksa tentojnë të arrijnë paqe me militantët talibanë.

Për këtë arsye, Uashingtoni në të kaluarën u ka kërkuar të dyja palëve që të anulojnë ceremonitë e inaugurimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme