Afro 20 shkolla në Podujevë, me ushtrues detyre të drejtorit

Prishtinë | 02 Maj 2020 | 10:19 | Nga Ekonomia Online

I paligjshëm po konsiderohet nga opozitarët menaxhimi i shkollave nga ushtrues detyre të drejtorëve në Komunën e Podujevës. Sipas tyre, kjo bëhet me qëllim nga partia në pushtet (LDK) – për t’i mbajtur nën presion menaxherët e shkollave dhe për t’i shfrytëzuar për fushata elektorale.

Sipas zyrtarëve opozitarë, janë rreth 20 shkolla në këtë komunë që udhëhiqen nga ushtrues detyre dhe se të tillëve ka më shumë se një vit që u ka kaluar mandati i rregullt.

Shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së, Vendenis Lahu, thotë se kanë kërkuar disa herë te drejtorët të zgjidhen me mandat të plotë, por se kjo nuk ka ndodhur, transmeton KOHA.

“Mbajtja e shkollave me ushtrues detyre në komunën tonë është dukuri tash e sa vjet. LVV vazhdimisht i ka kundërshtuar këto veprime të DKA-së dhe ka bërë thirrje që drejtorët të zgjidhen me mandat të plotë në bazë të kritereve profesionale. Por, kjo fatkeqësisht nuk është marrë parasysh asnjëherë”, është shprehur Vendenis Lahu. “Pushteti aktual drejtorët e shkollave e sidomos UD-të i përzgjedh në bazë të kapacitetit të tyre për punë si makineri lobuese për fushata elektorale dhe jo në bazë të aftësive menaxheriale e profesionale, por njëkohësisht, përmes tyre edhe të rehatojë militantët partiakë në funksione të ndryshme në sistemin arsimor të komunës sonë”.

Këshilltari Lahu thotë se moszgjedhja e drejtorëve profesionalë dhe me mandat të plotë ndikon edhe në procesin mësimor.

“Duke qenë nën kontratë të përkohshme, ushtruesit e detyrës së drejtorit janë nën trysni të vazhdueshme për vendin e punës dhe kjo sigurisht se reflekton negativisht në punën e tyre brenda institucioneve arsimore”, ka thënë ai.

Edhe sipas këshilltarit nga radhët e PDK-së, Rafet Llapashtica, moszgjedhja e drejtorëve të rregullt bëhet për qëllime politike.

Të ngjashme