Partia e Drejtësisë (PD), mbrëmë ka organizuar iftar në qytetin e Pejës, në të cilin ka marrë pjesë edhe Kryetari, Ferid Agani.
Agani tha se Partia e Drejtësisë si edhe në zgjedhjet e kaluara nacionale është radhitur në koalicionin parazgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës e në këtë vit zgjedhor edhe me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, NISMA për Kosovën, Lëvizja për Bashkim dhe disa parti të tjera, si pjesë e koalicionit të “Fillimit të Ri”.
Më tej ai shtoi se “Jemi dëshmitarë të ballafaqimit të koncepteve të ndryshme politike në ditët e para të fushatës, prej të cilave disa me vizion të qartë shohin drejtë të ardhmes së Kosovës, e disa duke adresuar të metat e së kaluarës synojnë të formësojnë të ardhmen e vendit.”
“Ne si Parti e Drejtësisë, gjithmonë kemi qenë të bindur se në themelet e shtetit tonë, duhet të vihen vlerat etike e morale, vlera e traditës sonë kombëtare e fetare që në mënyrë të mrekullueshme janë të shkrira në qenien tonë kombëtare shqiptare”, deklaroi kryetari Agani para qytetarëve të Pejës.
Kryetari i PD-së u bëri thirrje qytetarëve të Pejës që t’i mbështesin dy kandidatët e Partisë së Drejtësisë në Listën e Koalicionit të “Fillimit të Ri”, Ardian Sejdiu me numër 43 dhe Mejreme Uka me numër 93 për të cilët tha se do të jenë përfaqësues të denjë të interesave të qytetarëve me vlerat tyre politike, etike e morale, dhe shprehi bindjen se angazhimi i qytetarëve të Pejës dhe gjithë vendit në këtë drejtim nuk do të mungojë.