Drejtuesit e Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës të udhëhequr nga kryetari Edmond Thaçi, janë pritur nga kryetari i FFK-së Agim Ademi.
Në këtë takim ishin edhe dy në kryetarët Alba Merovci e Jon Ajeti, sekretari i përgjithshëm Artan Muhaxhiri, dhe anëtarët e bordit Arbnor Rahova e Lorik Jashanica.
Në takimin me drejtuesit e FFK-së, kryetari Thaçi ka kërkuar që të vazhdohet bashkëpunimi i mirë në interes reciprok, të rritjes së nivelit të mbështetjes së futbollit vendor dhe poashtu edhe kushteve të gazetarëve në stadiumet e futbollit dhe objektet tjera sportive të futbollit.
Ademi poashtu ka ofruar mbështetjen e tij dhe të FFK-së, në favor të rritjes së nivelit të bashkëpunimit dhe raportimit profesional.
Muajt në vijim do të jenë vendimtarë në garën e Kombëtares në kualifikimet për EURO2020 dhe në këtë linjë, Edmond Thaçi kërkoi nga FFK të mundësojë udhëtimin e gazetarëve në ndeshjet si mysafirë, por edhe lehtësime në akreditimet në ndeshjet si vendas.
Këto dhe tema tjera në interes të gazetarisë sportive dhe futbollit, janë diskutuar duke lënë hapësirë për takime tjera në interes të dyja palëve.
Në fund kryetari i FFK-së Agim Ademi ndaj një plaketë me fotografinë e Stadiumit “Fadil Vokrri” për kryetarin e SHGSK-së Edmond Thaçi.