Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, me disa anëtar të partisë së tij në mbrëmjen e sotme po qëndron në rajonin e Drenicës. Por në Skenderaj, Kurti nuk u prit mirë nga një grup i qytetarëve. Ata me brohoritje kundër Kurtit kanë hedhur edhe vezë në drejtim të tij.
Por këto sulme ndaj Kurtit, kreu i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri nuk po i sheh serioze. Ai në një deklaratë për IndeksOnline tha se e gjithë Drenica është me Kurtin.
“Unë tash erdha në Prekaz iu bashkova zt.Kurti. Tash jemi duke shku në Polac. Një mund t’ua them se e gjithë Drenica është me Kurtin. Unë po shoh entuziazëm, krejt janë çu në këmbë dhe janë kthy nga Albin Kurti”, tha Bahtiri për IndeksOnline.
Ky tubim i Vetëvendosjes është duke u zhvilluar nën kujdesin e Njësive Speciale të Kosovës.
Skenderaj njihet historikisht që ka përkrahur Partinë Demokratike të Kosovës, por si duket nuk e kanë disponimin e mirë që në qytet të tyre të vije Albin Kurti.