AstraZeneca mund të mos ketë siguruar të dhëna të plota mbi efektivitetin e vaksinës COVID-19 nga studimi i fundit gjithëpërfshirës i SHBA-së, tha të martën Instituti Kombëtar i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (NIAD).
AstraZeneca njoftoi dje se vaksina, e zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, është treguar e efektshme 79 për qind në parandalimin e sëmundjes simptomatike në një provë të madhe në Shtetet e Bashkuara, Kili dhe Peru, raporton financialtimes.
“DSMB shprehu shqetësimin se AstraZeneca mund të ketë përfshirë të dhëna të vjetruara nga ai studim, të cilat mund të kenë siguruar një prezantim jo të plotë të të dhënave të performancës”, tha agjencia amerikane, duke iu referuar Komitetit të Pavarur të Sigurisë së të Dhënave (DSMB), transmeton Telegrafi.
“Ne po kërkojmë nga kompania që të punojë me DSMB për të rishikuar të dhënat e performancës dhe për të siguruar që të dhënat më të sakta, të azhurnuara të performancës të publikohen sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë ajo.
Kjo kërkesë vuri në pikëpyetje planin e kompanisë për të kërkuar miratimin urgjent të ShBA-së për përdorimin e vaksinës në muajt e ardhshëm.
Miratimi dhe udhëzimet për përdorimin e vaksinës në Shtetet e Bashkuara do të përcaktohen nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve pasi të dhënat të rishikohen plotësisht nga komitetet e pavarura këshilluese