Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka hyrë në fazën e rivlerësimit nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Ditë më parë, AKA-ja e ka dorëzuar raportin e vetëvlerësimit në ENQA. Në bazë të këtij raporti, ENQA vitin e ardhshëm do të vendosë nëse Agjencia do të vazhdojë të jetë pjesë e saj, shkruan sot Koha Ditore.
Në muajin mars një grup ekspertësh të ENQA-s do ta vizitojnë AKA-në për ta parë nga afër progresin e arritur të Agjencisë derisa vendimi përfundimtar do të merret më së largu në shtator të vitit 2019.
Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë më 19 prill ia pati zbritur Agjencisë statutin nga “anëtare me të drejta të plota” në anëtare “nën shqyrtim”. Kjo për shkak të ndërhyrjeve politike, ku ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj kishte shkarkuar Këshillin Shtetëror të Cilësisë (Bordin e Agjencisë) dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të AKA-së.