Vetëvendosje propozon masat emergjente pas përjashtimit nga EQAR-i

Prishtinë | 07 Mar 2018 | 12:02 | Nga Donika Osmani

Deputetja Arbërie Nagavci në emër të Vetëvendosjes paraqiti sot në Kuvend në seancën e jashtëzakonshme çështje si më poshtë:

Vetëvendosje e konsideron si shumë shqetësuese përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe kërkon urgjentisht nga  Qeveria dhe MASHT që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të përmirësuar këtë dëm të madh që po i bëhet arsimit të lartë nga ndikimet politike e partiake.

Ndër masat emergjente për ta tejkaluar këtë gjendje propozojmë:

1. Brenda afatit të ankimimit prej nëntëdhjetë ditëve, të ndërmirren të gjitha veprimet e duhura për të kthyer AKA-në në EQAR.

2. Të kryhen të gjitha obligimet ligjore të ministrisë, në rradhë të parë  raportimi në Kuvend për shkarkimin e ish KSHC të AKA-së sipas nenit 7, pika 5 e  LAL në Kosovë, ku parashhet se: “Nëse më shumë se një e treta e anëtarëve të bordit zëvendësohen për çfarëdo arsye brenda një viti, Ministria duhet ti raportojë këtë Kuvendit”, raportim që nuk është bërë asnjëherë përkundër kërkesës sonë të vazhdueshme.

3. Të njoftohet  Kuvendi dhe gjitha palët e interesuara se pse janë shkarkuar përnjëherë të gjithë anëtarët e Bordit të Agjencisë së Kosovës për  Akreditimi, në mesin e të cilëve kishte edhe anëtarët ndërkombëtar, ekspertë të arsimit të lartë, që vlerësohen nga komuniteti akademik ndërkombëtar? Të na tregoni se  a ka pasur një hulumtim dhe analizë të punës dhe performancës së KSHC së AKA-së?  Nëse po nga kush, cilat janë gjetjet, gjegjësisht shkeljet apo parregullsitë e supozuara, çfarë është ndërmarrë apo do të ndërmirret për t’i përmirësuar këto parregullsi  dhe pse këto nuk janë bërë publike?

4. Të tërhiqet pika e planifikuar për seancën e kaluar për Ratifikimin e Anëtarëve të KSHC-së dhe e njejta të risillet në rend të ditës pas marrjes së të gjitha masave që garantojnë një proces krejtësisht të besueshëm, profesional, konstruktiv e me transparencë të plotë, që reflekton me propozimi të anëtarëve të rinj të KSHC–së që kanë kredibilitet profesional e moral , të paanshëm politikisht, të liruar nga konflikti i interesit e me integritet personal. Kjo duhet të bëhet sa më parë në mënyrë që të funksionalizohet puna e AKA-së.

5. Të inicohen ndryshimet ligjore që do të mundësonin mekanizma dhe instrumente  për të rregulluar këtë çështje në të ardhmen.

Të ngjashme