Këshilli Shtetëror për Pronësi Intelektuale mbajti takimin e radhës. Drejtori i Agjencisë për Pronësi Industriale Xhafer Tahiri, njoftoi anëtarët e Këshillit për punën 1 vjeçare të Këshillit por edhe të Agjencisë për Pronësi Industriale.
Në Agjencinë për Pronësi Industriale gjatë 1 viti, sipas të dhënave të sistemit IPAS i cili monitoron punën e ekzaminimit të objekteve të pronësisë industriale, gjatë kësaj periudhe janë kryer 34387 hapa në sistem, që përfshijnë kalimin nga një procedure në tjetrën dhe janë lëshuar përmes sistemit IPAS 10363 komunikime me palët (dokumente zyrtare, njoftime dhe vendime).
Gjatë periudhës raportuese janë publikuar 12 Buletine (përfshirë dhe Buletinin e muajit prill) me 5343 objekte të pronësisë industriale.
Të gjitha aplikimet për regjistrim të Markave Tregtare të ardhura në vitin 2016 dhe 2017 janë ekzaminuar dhe janë publikuar. Është digjitalizuar sistemi i punës në Agjenci me përkrahjen e Organizatës Botërore për Pronësi Intelektuale-WIPO.
Këshilli Shtetëror për Pronësi Intelektuale formoi Grupin punues për shënimin e Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale që do të udhëhiqet nga Valon Kashtanjeva, Drejtor i Zyrës për të Drejtat e Autorit, MKRS si dhe Sadije Topojani nga Dogana e Kosovës.