Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas ofendimit dhe kërcënimit të gazetarëve të Gazetës Express, nga zyrtarja e Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë dhe bashkëshorti i saj
Në reagimin e AGK-së thuhet se gjuha denigruese nga zyrtarja e komunës dhe kërcënimi në drejtim të gazetarëve nga bashkëshorti i saj, janë të papranueshme dhe cenojnë lirinë e shprehjes së mediave.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, e vlerëson tërësisht të papranueshme gjuhën ofenduese të zyrtares së Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, Anita Xhabiri dhe kërcënimet nga bashkëshorti i saj në drejtim të dy gazetarëve të Gazetës Express. Për AGK-në është shqetësuese fakti që gazetarët janë ende pre e ofendimeve dhe kërcënimeve të tilla nga zyrtarët publikë. Gjuha e tillë denigruese nga zyrtarja e komunës dhe kërcënimi i bërë në drejtim të gazetarëve nga bashkëshorti i saj është tërësisht e papranueshme dhe e cenon lirinë e shprehjes dhe medieve”, thuhet në reagim.
AGK iu ka bërë thyrrje zyrtarëve publikë të distancohen nga ofendimet dhe kërcënimet në drejtim të gazetarëve.
“AGK-ja u bën thirrje zyrtarëve publikë që ta njohin rolin e gazetarëve në një shoqëri demokratike dhe të distancohen nga ofendimet dhe kërcënimet në drejtim të tyre. Teksa, për çfarëdo padrejtësie që mendojnë se iu bëhet t’i drejtohen organeve kompetente”, thuhet në reagim.
Anita Xhabiri, të shtunën ka ofenduar një gazetare të Gazetës Express, pasi ajo ka kërkuar qëndrim të Drejtorisë së Arsimit, pas raportimeve se një nxënëse e klasës së parë është abuzuar seksualisht nga disa nxënës të tjerë.
“A bën më ditë, a e di çfarë dite është sot. Edhe? Çfarë rasti i jashtëzakonshëm prej gazetës po thirr të shtunën? A je normal ti? Kurrë ma mos gabo me thirr në këtë numër. Hiç kurrë. Budallica e thiut”, janë fjalët me të cilat i është drejtuar Xhabiri gazetares sipas raportimeve të Gazetës Express.
Pas publikimit të lajmit për ofendimin e bërë, redaksia e Gazetës Express të shtunën ka pranuar një telefonatë kërcënuese nga bashkëshorti i Xhabirit. Ai ka kërkuar që të largohet lajmi për bashkëshorten e tij, ku ka kërcënuar se nëse një gjë e tillë nuk bëhet, gazetarët do të kenë punë privatisht me të.
“E hek lajmin, une jom tu shku në polici, po nuk e hek lajmin, përveç policisë ki punë personalisht me mu. Ti ki problem me familjen tem, sjelljet apo çkado qoftë që ti shkrun, e hani m*t, atë ki problem. Kur te thirrësh gruan tem, ki problem me mu. Nuk o tu m’hangër për çka je tu e thirrë grun tem, ti je tu e thirrë gruan tem, për informata zyrtare shko n’rrotë t’samës. Këtë që e ke publiku ki qasje private me mu, jo zyrtare. E largon, unë po shkoj në polici edhe po vi te ju edhe e zgjidhim rastin menjëherë, a u kuptum?”
Pas raportimit të rastit në polici, gazetari i Gazetës Express është intervistuar në cilësinë e viktimës. Teksa, i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti sipas viktimës mashkull kosovar përmes telefonit e ka kanosur viktimën i cili është gazetar. I dyshuari ka mohuar se e ka kanosur, por vetëm ka kërkuar që të fshihet një shkrim që ka të bëjë me bashkëshorten e të dyshuarit. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, bëhet e ditur në raportin e Policisë së Kosovës.