Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e konsideron tendencë për ndërhyrje të drejtpërdrejt në punën e mediave, kërkesën e kolacionit PDK-AAK-NISMA për përfaqësim te subjekteve e jo koalicioneve në debate televizive.
Sipas AGK-së edhe pse teknikisht nuk përbën shkelje ligjore kërkesa e partive PDK, AAK dhe NISMA për ta konsideruar koalicionin PAN ndryshe prej partive tjera, megjithatë kërkesa është e padrejtë dhe tendencë për t’i imponuar politikat redaksionale, njëkohësisht edhe kërkesë për shkelje të dispozitave ligjore për përfaqësim të barabartë të të gjitha entiteteve të certifikuara nga KQZ.
Një mënyrë e tillë për të ndikuar në politikat redaktoriale të medieve të pavarura është e papranueshme dhe cenon rëndë të drejtën e publikut për t’u informuar në mënyrë të drejt dhe të pavarur.
AGK pret nga PAN që ta rishqyrtojë kërkesën dhe të pranojnë debat të barabartë me të gjitha partitë e tjera të cilat garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për 11 qershor 2017.
Qytetarët e Kosoves meritojnë të shohin përplasje idesh, argumentesh e programesh në mes të subjekteve të certifikuara dhe në këtë kohë mediet nuk duhet të bijnë pre e presioneve te subjekteve apo koalicioneve të caktuara.