Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë kanë bërë ndarjen e Çmimeve Vjetore për Gazetari 2021, raporton Ekonomia Online.
Gazetari më i mirë i vitit u përzgjedh Kastriot Berisha nga Kallxo.com.
Berisha, u shpërblye për punën e tij hulumtuese në sektorin e drejtësisë.
“Shpresoj që ky çmim të jetë mesazh i qartë për të gjithë zyrtarët publikë, për prokurorët dhe gjyqtarët se ka gazetarë, juristë, organizata, të cilët dinë të analizojnë punën e tyre, dinë t’iu qëndrojnë mbi kokë dhe të publikojnë veprimet e tyre që janë të kundërligjshme”, tha ai.
Berishës ia dha çmimin shefi i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, i cili edhe vlerësoi punën e tij.
“Ky është çmimi më prestigjioz që do të jepet këtë pasdite dhe është një vepër gazetareske e madhe hulumtuese që ka një qasje profesionale për një periudhë të caktuar kohore, prodhon rezultate dhe pranohet mirë nga publiku”.
Çmimi për storjen më të mirë iu dha gazetarit Arton Konushefci nga Radio Evropa e Lirë, çmimi për storjen më të mirë televizive e morri Valdete Osmani nga RTK-ja ndërsa për herë të parë u ndan edhe çmimi për kameramani më të mirë, çmim të cilin e morri Deniz Sllovinja nga Kallxo.com.