AGK kërkon hapjen e gjykimit në rastin e Salih Mekajt

Prishtinë | 27 Nën 2016 | 12:30 | Nga

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga gjykatësi i Gjykatës Themelore të Prishtinës Shasivar Hoti të rishikojë vendimin e tij për mbylljen për publikun dhe mediat të gjykimit në rastin e ish kryetarit të Gjykatës se Apelit Salih Mekaj dhe të publikojë pa vonesë aktakuzën.

Kërkesa e AGK-së bazohet edhe në deklaratën publike të kryetarit të Gjykatës Themelore Hamdi Ibrahimi sipas së cilit rishikimi i këtij vendimi do të ishte respektim i kërkesave të publikut.

Mungesa e transparencës në drejtësi krijon hapësirë për spekulime dhe motivon sinjalizuesit e brendshëm të rrjedhin dokumente nga gjykata. Për më tepër, ky vendim ka inkurajuar të akuzuar të tjerë të kërkojnë mbyllje të seancave gjyqësore siç ndodhi në rastin “Stenta.” Kështu, Themelorja ka krijuar precedent për fshehjen nga publiku të veprimeve të dyshuara kriminale të zyrtarëve të lartë.

Sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, parimi bazë në mbrojtjen e privatësisë dhe reputacionit është se ai duhet të mbrohet vetëm nëse personi në fjalë e meriton atë reputacion. Po-ashtu, legjislacioni lejon publikimin e të dhënave personale kur është në pyetje interesi publik. Gjykatësi Shasivar Hoti fatkeqësisht fare nuk ka marrë në konsideratë këto parime prandaj edhe nuk e ka arsyetuar vendimin e tij.

AGK është po-ashtu thellësisht e zhgënjyer me prokuroren Drita Hajdari e cila në vend se të kërkonte gjykim publik për të dëshmuar punën e prokurorisë është pajtuar me interesat e palës së akuzuar.

Seanca e ardhshme gjyqësore në këtë rast është planifikuar të mbahet të mërkuren më 30 nëntor. Më 20 tetor 2016 gjykatësi Shasivar Hoti, me kërkesë të avokatit mbrojtës të të akuzuarës Vlora Gorani, mori vendim që të mbyllej gjykimi nën arsyetimin se publikimi i shkëmbimeve telefonike do të përbënte dëm të riparueshëm dhe cenim të jetës private dhe të dhënave personale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme