Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj kërkesës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Universitar të Kosovës Basri Sejdiu, për gjetjen dhe dënimin e personit që ka bashkëpunuar me mediet, pas publikimit të videos së vërshimeve ku faktohen kushtet jashtëzakonisht të këqija të mbajtjes dhe ruajtjes së barnave në Barnatoren Qendrore në QKUK.
Sipas AGK-së kjo paraqet censurë dhe shkelje të drejtave të punëtorëve dhe ndikon drejtpërdrejt në punën e medieve, duke u shkaktuar kështu pengesa në marrjen e informacioneve, në kohën kur institucionet çdo ditë e më shumë po vazhdojnë të mbyllen për publikun.
Një gjë e tillë bie në kundërshtim edhe me Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, ligj ky, i cili, sapo është miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe pritet që brenda tetë ditëve të hyjë në fuqi, thuhet në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Asociacioni i Gazetarëve paralajmëron se mos respektimi i neneve të këtij ligji përbën vepër të dënueshme për të gjithë.
AGK mbështet fuqishëm punën profesionale të të gjitha institucioneve dhe beson në parimet bazë të profesionit, po ashtu angazhohet që të siguroj ambient të favorshëm dhe të sigurt për gazetarët në ushtrimin e punës profesionale.