AGK liron një hapësirë për gazetaren nga Ukraina, Makey: Mbi 21 gazetarë janë vrarë në luftë

Prishtinë | 18 Pri 2022 | 12:29 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i ka uruar mirëseardhje gazetares ukrainase Lyudmila Makey, e cila gjatë së dielës ka mbërritur në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

AGK së bashku me gazetaren ukrainase dhe Flutura Kusari nga ECPMF kanë mbajtur një konferencë për medie, me ç’rast u çmua lartë ndihma e institucioneve të Kosovës karshi gazetarëve ukrainas.

Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, tha se këto hapësira do të shërbejnë për të ofruar kushte sa më të mira për gazetaren ukrainase.

“Gazetarja e parë është këtu me ne dhe ka ikur nga Ukraina dhe ka ardhur në Kosovë. Ky është një program që është iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Medias. Projekti financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës për 20 gazetarë nga Ukraina. Kjo hapësirë e AGK-së do të shërbejë për gazetarët e parë për vend pune”, tha Rexha.

Flutura Kusari nga Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe të Medias (ECPMF), foli për programin që i strehon gazetarët ukrainas.

Ajo tha se me ndarjen e buxhetit prej 150 mijë euro nga Qeveria e Kosovës, do t’iu sigurohet hapësirë dhe kushte më të mira për punë. Me këtë rast, ajo falënderoi AGK-në e cila ka liruar një hapësirë të saj për gazetaren nga Ukraina.

“Dje kemi pritur gazetaren e parë Lyudmila Makey, në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë”, Lyudmila është gazetarja e parë nga 20 që po presim. Aktualisht jemi duke shqyrtuar dhe verifikuar edhe disa kërkesa të tjera nga gazetarët nga Ukraina që kanë shprehur interesim që të vijnë në Kosovë. Ky program ekziston që gjashtë vite në Gjermani dhe ofrohet nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medies në Leipzig. Kur fillojë lufta në Ukrainë ne i propozuam kryetares së Komisionit për Medie Doresa Kica Xhelili që një program të njëjtë t’a fillonim edhe në Kosovë me qëllim që të ndihmonim gazetarët nga Ukraina”.

“Me iniciativë të saj u mobilizuan shumë shpejtë ZKM-ja, MPJ-ja, dhe MPB-ja duke alokuar 150 mijë euro. Me këtë buxhet gazetarët që do të vijnë do të marrin 500 euro në muaj për shpenzime mujore, 300 për qeranë e banesës dhe 1000 për udhëtim (Në Kosovë dhe kur largohen)”.

Gazetarja e parë ukrainase dje në Prishtinë, Lyudmila Makey, thotë se i bën përshtypje se si kosovarët ndjenjë dhimbjen për atë që po e përjetojnë ukrainasit. 

Nga zyrat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, gazetarja ukrainase, Lyudmila Makey, ka folur për përshtypjet e saj që mori nga Prishtina.

“Sapo zbrita nga avioni ndjeva sinqeritetin dhe mikpritjen e njerëzve që më takuan. Me ka bërë përshtypje se si dhimbja e vendit tim ndihet në zemrat e Kosovës. Jam mirënjohës Qeverisë së Kosovës për mbështetjen për popullin e Ukrainës në një moment të vështirë. Falënderoj kolegët e mi dhe qendrës evropiane për lirinë e mediave. Kam nderin ta përfaqësoj unionin e gazetarëve të Ukrainës mbi 16 mijë anëtarë. Secilin prej nesh e kuptojmë që arma jonë është fjala dhe fatkeqësisht puna jonë në Ukraine është bërë e vështirë. Rusët vrasin të gjithë pavarësisht nga mosha gjinia apo profesioni”, tha ajo.

Gazetarja ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për përkrahjen ndaj shtetit të saj. Ajo ka folur për gjendjen e gazetarëve tani në Ukrainë, duke thënë se të gjithë janë kthyer në reporterë lufte. Ajo thotë se Rusia po vret gjithkënd, pa dallim as profesioni, as gjinie, as moshe.

Gazetarja tregon për kolegët e saj në qytetin e bllokuar të Mariupolit, për të cilët thotë se s’ka dëgjuar për një kohë të gjatë.

“Që nga fillimi i luftës më shumë se 21 gazetarë kanë vdekur nga duart e rusëve. Jo vetëm ukrainas. Më shumë se 20 kolegë të mi janë zhdukur në Mariupol. Gazetarë kërcënohen, shantazhohen e dhunohen të afërmit e tyre. Nuk duhet të jetë kështu është shumë e mire që ju të gjithë e kuptoni këtë. Për mua kjo është një mundësi për të qëndruar në profesion për të takuar koleg nga Kosova. Ne duam të jetojmë në një vend të lirë dhe paqësorë”, tha tutje ajo.

Të ngjashme